Punonjësit e transportit urban qytetas, ndajnë shqetësimin për situatën e krijuar për shkak të rritje së çmimit të naftës, duke paralajmëruar ose shtrenjtim të biletës, ose të ndërhyjë shteti në ndihmë.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas, Dashnor Mema tha për emisionin “Fol” në MCN TV se, se duhen subvencione për të kaluar krizën.
Me rritjen e çmimit të karburantit pas luftës në Lindjen e Mesme, kriza u reflektua shumë shpejt, ndryshimi i çmimit të naftës ndihet po atë ditë. Iu drejtuam disa shkresa institucioneve, ku kërkuam reduktimin e TVSH-së në shitje dhe heqjen e taksës së qarkullimit. Të mundësojnë një subvencionim të naftës për të kaluar krizën e momentit. Problem më vete është dhe gjendja e ulët e pagave.
Gjithë shoferët që ikin janë me eksperiencë të gjatë, ikin prej kushteve ekonomike. Shumë kompani nuk kanë dhënë dhe pagat e shkurtit, pasi ose do përballonin naftën ose pagat. Operatorët në rrethe e kanë dhe më vështirë. Duhen lehtësi fiskale. Taksa e qarkullimit për naftën është njësoj si për makinat personale.
Ndërsa Kostandin Foni, përfaqësues i Shoqatës së Transportit Publik, deklaron se ndërhyrja në akcizë dhe taksën e qarkullimit do e ulnin çmimin e naftës me 80 lekë.
Duhet një unifikim i transportit publik, nuk mundet që pensionistët dhe studentët në Tiranë të mos paguajnë dhe në rrethe të paguajnë.
Tirana ka një mekanizëm dhe ky mekanizëm duhet të implementohet në të gjitha rrethet dhe qytetet dhe të funksionojë në të gjithë Shqipërinë.
Situata u agravua me rritjen e çmimit të karburantit. Akciza dhe taksa e qarkullimit do e ulin çmimin e naftës me 80 lekë.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e transportit publik ngrenë shqetësimin e largimit të punonjësve, për shkak të pagës së ulët.



