
Gafa e bërë nga sekretari i Jashtëm britanik gjatë vizitës së tij zyrtare në Kinë po bën xhiron e botës. Gjatë një takimi në Pekin, ku po diskutohej mbi marrëveshjet tregtare Kinë – Britani e Madhe, pas shkëputjes së kësaj të fundit nga BE-ja, Jeremy Hunt tha se e kishte gruan japoneze.
Ai u vetëkorrigjua menjëherë duke thënë se në fakt e shoqja ishte kineze, ndërsa të pranishmit qeshën.
“Gruaja ime është japoneze… gruaja ime është kineze. Të më falni, ky është një gabim i tmerrshëm”, tha vetë Hunt.
Ai sqaroi se me homologun kinez, Wang Yi, kishin folur në japonisht dhe kjo ishte arsyeja e ngatërresës (nga anglishtja: japanese - japoneze, japanese - japonisht). “Gruaja ime është kineze dhe fëmijët e mi gjysmëkinezë. Ne kemi gjyshër kinezë që jetojnë në Xian dhe lidhje të forta familjare me Kinën”, sqaroi ai më tej.
Por pse lapsusi i kreut të diplomacisë britanike po shihet si një gafë e madhe?
Shkaku janë marrëdhëniet jo të mira mes Kinës dhe Japonisë. Ta ngatërrosh Kinën pikërisht me Japoninë ndërsa po flet me një kinez, aq më tepër një përfaqësues të shtetit kinez, është ngatërresa më e keqe që mund të bësh.
Kina dhe Japonia kanë marrëdhënie jo të mira prej disa dekadash. Ato kanë luftuar përballë njëra-tjetrës në luftën kino-japoneze dhe kanë ende mosmarrëveshje territoriale për detin e Kinës Lindore.
Në Kinë ka ende të moshuar që refuzojnë të blejnë produkte të importuara nga Japonia apo të shkojnë atje me pushime. Madje në vitin 2012, në Kinë ka pasur disa protesta antijaponeze për shkak të tensioneve të shtuara në lidhje me ishujt që i pretendojnë të dyja.
Pa llogaritur faktin se Hunt po fliste për të shoqen dhe nuk ndodh shpesh të ngatërrosh kombësinë e gruas, gabimi i tij konsiderohet gafë edhe për arsye se mund të përputhet me stereotipin e ngulitur prej kohësh sipas të cilit “europianëve, aziatikët u duken të gjithë njësoj”.
Hunt është i martuar me Lucia Guo. Ata janë njohur në vitin 2008, kur Guo punonte në universitetin e Warwick-ut. Ata kanë 3 fëmijë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



