Kryeministri Edi Rama tha se metodat e prokurorit që po ndjek çështjen e kryebashkiakut Veliaj janë të papranueshme. Nga ceremonia e organizuar nga Bashkia e Tiranës për të shënuar 105-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë, Rama tha se duhet të kërkohen provat për të vërtetuar nëse është e vërtetë që Veliaj dhe bashkëshortja kanë blerë 800 mijë euro fustane dhe bizhuteri.
Nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 mijë euro fustan dhe bizhuteri ne nuk kemi çfarë të diskutojmë, por ama kemi të drejtën të kërkojmë provat dhe ne kemi të drejtën të themi që hedhja e kësaj shifre është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjak dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë që të jetë e pamundur që të diskutosh.
Do ta ndjekim me kujdes këtë proces. Jam bërë ndjekës i vëmendshëm se jam gjendur krejt padashur në kushtet që duhet të dëgjoja ca njerëz të artit që kanë parë picir në hetimet me këtë prokuror që realisht unë do doja që të bindte këdo me prova. Mbase i ka, por metoda është e papranueshme.



