
Ka dështuar për të dytën herë seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Shkak për këtë ngërç procedurial është bërë prokurora jo e rregullt për Gjergj Kohilën, ish-shefin e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë për Qarkun e Vlorës, që ndodhet në arrati.
Në një deklaratë për mediat, ish ministri u shpreh se do vazhdojë të kërkojë mbylljen e gjyqit sa më shpejt.
"Keq më vjen që u shty prapë. Unë do vazhdoj të kërkoj gjithmonë një gjyq sa më të shpejt se nuk ka më terezi njeri që ky gjyq të zgjatet kaq shumë. Shqipëria ka ecur para vetëm gjyqi im ka ngecur", u shpreh Tahiri.
Ndërkaq, Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur që seanca e radhës ndaj Tahirit të zhvillohet më datë 17 korrik.



