Ligji i ri për sigurimet, Kopani: Më pranë tregut të BE-së. Ceko: Kompanitë duhet të garantojnë transparencë dhe menaxhim të riskut

Ligji i ri për sigurimet, Kopani: Më pranë tregut të BE-së. Ceko: Kompanitë duhet të garantojnë transparencë dhe menaxhim të riskut

Ndryshimet e parashikuara në kuadrin ligjor për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit synojnë përafrimin e tregut shqiptar me standardet e Bashkimit Europian, duke prekur mënyrën e funksionimit të kompanive të sigurimit, kërkesat për kapitalin dhe aftësinë paguese, qeverisjen korporative, raportimin financiar dhe transparencën.

 

Në ‘MCN Economy’, drejtori i Eurosig, Xhevdet Kopani, tha se drafti i ri, i iniciuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në kuadër të përafrimit me direktivat europiane, sjell një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si kompanitë e sigurimit do të operojnë dhe raportojnë.

 

Kopani theksoi se ligji i ri synon që procedurat, standardet dhe kërkesat ndaj kompanive shqiptare të jenë sa më të njëjta me ato që zbatohen në tregun europian, ndërsa nënvizoi se ndryshimet nuk pritet të sjellin një rritje të kostove për qytetarët, por standardizim më të madh të shërbimit dhe forcim të garancive për konsumatorin.

 

Ligji që po përgatitet është në kuadër të përafrimit me BE-në dhe përbën ndryshimin e ligjit të vitit 2014 për sigurimin dhe risigurimin. Kompanitë e sigurimit që ushtrojnë aktivitetin e sigurimit dhe risigurimit do të duhet të zbatojnë në kontratat dhe aktivitetin e tyre konceptet, praktikat dhe procedurat e reja, në mënyrë që raportimi, plotësimi i kushteve dhe standardeve dhe të gjitha shtyllat e tjera të funksionimit të jenë të njëjta me ato të Bashkimit Europian. Do të vazhdojnë të ekzistojnë sigurimet e detyrueshme, të pronës dhe të shëndetit, por do të ndryshojë mënyra e mbajtjes, kriteret e plotësimit dhe standardet, të cilat do të jenë sipas praktikave europiane. Ligji i mëparshëm kishte elementë të përafruar me BE-në, por ishte përshtatur me kushtet e Shqipërisë; tashmë synohet një përafrim shumë më i plotë me standardet europiane.

 

Sipas tij, një nga elementët kryesorë të ligjit të ri lidhet me forcimin e kërkesave për kapitalin dhe aftësinë paguese të kompanive, në mënyrë që konsumatori të ketë garanci edhe në rast të përballjes së kompanive me rreziqe të ndryshme.

 

Nuk do të ketë ndryshim të kostove dhe e rëndësishme është standardizimi i shërbimeve. Ligji ka katër shtylla kryesore, ku një prej tyre lidhet me kapitalin dhe aftësinë paguese, të cilat do të jenë të mirëpërcaktuara. Kompanitë e sigurimit janë të përgatitura për fondet e garancisë dhe mbi të gjitha për risigurimin e të gjithë portofolit të sigurimeve, në mënyrë që konsumatori të jetë i garantuar pavarësisht nivelit të garancisë që kërkohet. Një tjetër element i rëndësishëm është qeverisja korporative, që lidhet me mënyrën e funksionimit të kompanisë së sigurimit, përfshirë menaxhimin e rrezikut. Po ashtu, rëndësi merr saktësia e të dhënave financiare, publikimi dhe transparenca e tyre, ndërsa shtohet edhe mënyra dhe gama e raportimit, me module raportimi që synojnë të jenë të njëjta për të gjitha kompanitë”, tha ai.

 

Kopani u ndal edhe te forcimi i rolit të auditit të brendshëm dhe i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, duke argumentuar se rritja e raportimeve periodike dhe mundësive të investigimit shërben si mekanizëm shtesë mbrojtjeje për konsumatorin.

 

Nuk mund të mendohet një kompani sigurimi pa audit të brendshëm, i cili duhet të funksionojë sipas standardeve. Roli i AMF-së ekziston në bazë të ligjit përkatës, por rritet gama e raporteve periodike dhe mundësia e investigimit. Kjo i bën mirë kompanive të sigurimit, sepse autoriteti është një garant më shumë edhe për konsumatorin. Sa më shumë të standardizohet raportimi, transparenca dhe kontrolli, aq më shumë rritet besimi te tregu i sigurimeve dhe te aftësia e kompanive për të përballuar rreziqet që marrin përsipër”, u shpreh Kopani.

 

Nga ana tjetër, ekonomisti Enriko Ceko tha se ndryshimet e propozuara nuk pritet të rëndojnë financiarisht qytetarët dhe as kompanitë që operojnë në treg, por vendosin kërkesa më të qarta për licencimin, kapitalin dhe menaxhimin e riskut.

 

Qytetarët nuk do të preken financiarisht dhe kompanitë e sigurimeve nuk është se do të rëndohen, sepse nëse duan të marrin dhe të mbajnë licencën duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara. Kompanitë e sigurimit janë të detyruara të kenë një minimum të fondit të garancisë, i cili është rreth 260 milionë lekë, ndërsa për rreziqet më të larta shkon rreth 370 milionë lekë, po aq edhe për risigurimin. Ndërkohë, në Bashkimin Europian kërkesat janë në një nivel tjetër dhe nisin nga rreth 2.2 milionë euro. Kjo është e rëndësishme sepse në sigurime nuk flasim thjesht për një shërbim ku qytetarit i merren paratë dhe çështja mbyllet; kemi të bëjmë me probabilitet dhe risk, dhe pikërisht për të përballuar këtë risk kompanitë duhet të kenë fondet e nevojshme të garancisë.

 

Sipas ekonomistit, një tjetër ndryshim me rëndësi lidhet me përgjegjësinë e strukturave drejtuese të kompanive, ku kërkesat për qeverisjen korporative dhe auditin e brendshëm marrin një peshë më të madhe.

 

Auditin e brendshëm do ta veçoja për funksionimin e një korporate. Kompanitë shqiptare të sigurimit ndoshta e kanë një strukturë të brendshme auditi, por ndryshimet që janë bërë në kuadrin europian kanë vendosur theksin te përgjegjësitë e lidershipit. Kjo do të thotë se përgjegjësia nuk është vetëm e drejtorit, por edhe e bordit drejtues dhe e aksionerëve, sidomos në menaxhimin dhe keqmenaxhimin e organizatave që punojnë me miliona euro. Nëse një kompani synon të listohet në bursë, duhet të ketë transparencë të plotë financiare, të paktën për bilancet dhe pasqyrat financiare të viteve të fundit, ndërsa për t'u futur në bursë duhet të ketë edhe një nivel të lartë të garantimit të riskut, sepse investitorët duhet të kenë siguri se kompania ka kapacitetin për të përballuar detyrimet e saj”, u shpreh Ceko.

 

Ai nënvizoi se përafrimi me standardet europiane nuk duhet parë si një proces që përfundon vetëm me miratimin dhe zbatimin e ligjit, por si një proces të vazhdueshëm që kërkon përshtatje me zhvillimet e tregut dhe forcim të mekanizmave mbikëqyrës.

 

Çdo gjë është një proces; nuk është se vendosëm ligjin, ai u zbatua dhe gjithçka përfundoi. Koncepti dhe thelbi i AMF-së ekzistojnë edhe në ligj, por mënyra se si ky autoritet funksionon duhet të përshtatet me kushtet e tregut shqiptar. Në fund të fundit, siguracioni që i jepet klientit duhet të jetë në raport me kushtet dhe nevojat që ka vetë klienti. Përafrimi me BE-në kërkon që kompanitë shqiptare të punojnë më tej për të përmbushur standardet europiane, veçanërisht sa i takon kapitalit, transparencës, auditit, qeverisjes dhe menaxhimit të riskut.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy