
Përballë situatës së luftës në Ukrainë, të shkaktuar nga agresioni rus i nisur në 24 shkurt, qeveria shqiptare ka marrë vendim për hyrjen dhe qëndrimin e qytetarëve të larguar, pa leje qëndrimi.
Në vendimin e marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë thuhet se shtetasit e Ukrainës kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë për një afat deri në një vit.
Miliona ukrainas janë shpërngulur nga vendi i tyre, për t’i shpëtuar luftës, duke gjetur strehë në vendet fqinje, por jo vetëm.
VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shtetasit e Ukrainës kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë për një afat deri në 1 (një) vit.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.



