
Një “call centre” shumëkombësh i përdorur nga dhjetëra kompani kryesore në Mbretërinë e Bashkuar është kritikuar për atë që sindikatat e kanë quajtur monitorim i stafit që punon nga shtëpia, si dhe për kërkesat mbi të dhënat biometrike dhe mjekësore.
Sindikatat thonë se kompania “Teleperformance”, e cila gjithashtu i përgjigjet thirrjeve të një sërë departamentesh të qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar, po "shtyn kufijtë e punëtorëve" gjatë punës në shtëpi dhe akuzohet se ka shënjestruar padrejtësisht punëtorë të cilët kanë kundërshtuar.
Ndërsa pretendimet nuk prekin drejtpërdrejt 10,000 punonjësit e kompanisë në Mbretërinë e Bashkuar, ato mësohet të jenë vënë në funksion në vendet të cilat stafi anglishtfolës u përgjigjet thirrjeve të klientëve në Britani, të tilla si Greqia dhe Shqipëria.
Kompania me bazë në Francë, e cila ka rreth 380,000 punonjës në 34 vende, thotë se është plotësisht në përputhje me të gjitha ligjet vendore dhe ndërkombëtare, dhe se stafi deri më tani ka reaguar pozitivisht.
Por një punonjëse nga një “call centre” në Shqipëri tha se pasi ajo kundërshtoi monitorimin e videove ndërsa punonte në shtëpinë e prindërve të saj ajo u pushua nga puna, pavarësisht se sapo ishte ngritur në detyrë kohët e fundit.
Në Britani, klientët e kompanisë janë nga departamentet e shëndetësisë dhe arsimit të qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar, NHS Digital, Kompania e Kredive Studentore, RAF dhe Marinës Mbretërore, ndërsa kompanitë për të cilat punonjnë janë Vodafone, eBay, Aviva, Volkswagen dhe Guardian.
Zbulimi vjen pasi stafit të “Teleperformance” në Mbretërinë e Bashkuar iu kërkua në mars të këtij viti se do të monitoroheshin në distancë nga kamerat e kompjutërve nëse do të hanin apo përdornin telefonin e tyre gjatë punës.
Pasi punonjësit e Mbretërisë së Bashkuar kontaktuan me Guardian atyre u thanë se kjo nuk do të ndodhte.
Teleperformance këmbënguli se ideja për monitorim në distancë të stafit nuk ishte kurrë në plan, por thjesht biseda mes kolegësh.
Sidoqoftë, shqetësimet janë ngritur në lidhje me praktikat e kompanisë në vende të tjera.
Barbara Meçaj, një 29-vjeçare e diplomuar në filozofi e cila merrej me thirrjet nga klientët britanikë për një kompani shumëkombëshe, tha se ajo vendosi të mbulonte manualisht kamerën ndërsa punonte.
Brenda disa ditësh, Meçaj thotë se asaj iu tha se performanca e saj e punës ishte "rivlerësuar" dhe u vendos që ajo të pushohej nga puna.
"Para kësaj, gjithçka po shkonte mirë. Po punoja mirë, isha ngritur dhe në detyrë, "tha ajo.
Disa nga kushtet më të rrepta të punës në shtëpi duket se përfshijnë dhe stafin e Teleperformance në Kolumbi , të cilët kryesisht merren me klientët në SHBA.
Përveç asaj që përshkruhet si monitorimi me videokamer "në kohë reale", punëtorëve mund t'u kërkohet të japin detaje biometrike dhe madje edhe rezultate të ekzaminimeve mjekësore.
Një kontratë, e parë nga Guardian, thotë se stafi duhet të pajtohet që fotot dhe videot e tyre, familjeve dhe fëmijëve mund të qarkullojnë brenda kompanisë dhe se ata të pranojnë teste poligrafi.
Një punonjës i stafit me bazë në Kolumbi, teksa ka folur në mënyrë anonime, tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pajtoheshim me kërkesat e tyre: “Çdo ditë ndiheni sikur nuk keni privatësi. Janë fytyrat tona, jeta jonë, shtëpitë tona, familjet tona. Ne nuk e duam këtë, por duhet ta bëjmë, për të qëndruar në punë ”.
Stafit të Teleperformance në Greqi , një vendndodhje tjetër shumëgjuhëshe që merret me thirrjet nga Mbretëria e Bashkuar, u është thënë se në shtëpi ata duhet të kenë një "ambient pune pa rrëmujë dhe të izoluar nga zhurmat në sfond.”
Sipas një kontrate të parë nga Guardian, stafi i cili paguhet mbi pagën minimale lokale, aktualisht 9,100 € (7,700 £) në vit, pritet të sigurojë këtë hapësirë pune të ndarë dhe të mbulojë çdo kosto tjetër, siç është interneti dhe energjia elektrike.
Një zëdhënës i Teleperformance tha se i gjithë stafi grek mori një "shumë diskrecionale" për këto shpenzime.
Megjithatë, punonjësit thonë se nuk është kështu, se pagesa shtesë është përgjithësisht për aftësitë gjuhësore dhe se personeli paguhet njësoj nëse punojnë në shtëpi apo në zyrë.
Christy Hoffman, sekretarja e përgjithshme e UNI Global Union, tha se një monitorim i tillë në shtëpi "i detyron punëtorët të bëjnë një zgjedhje midis spiunimit dhe punësimit".
Një zëdhënës i Teleperformance tha se kompania përdori kamerat në internet "kryesisht për qëllime bashkëpunimi" siç janë takimet dhe trajnimet.
Ata thanë: "Kudo ku operojmë, Teleperformance është në përputhje me të gjitha ligjet, rregulloret dhe standardet vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare që zbatohen për biznesin tonë, përfshirë ato në lidhje me sigurinë, privatësinë dhe pajtueshmërinë, si dhe kërkesat specifike të klientit nëse ato janë më të mëdha.
Para përdorimit të kamerave në internet, ne ndoqëm udhëzimet e GDPR për vlerësimin e rreziqeve të mbrojtjes së të dhënave. Covid-19 nuk ndryshoi angazhimin e Teleperformance ndaj parimeve dhe rregulloreve mbi të cilat bazohet mbrojtja e privatësisë së punonjësve tanë. ”



