Policia e Durrësit ka sekuestruar 1 ton kanabis në Port, ndërsa për momentin është ndaluar vetëm drejtuesi maqedonas. Sasia e madhe e drogës është gjetur në mjetin tip kamion Daf, që drejtohej nga një shtetas maqedonas. Mjeti ishte i ngarkuar me kuti të mbushura me kastraveca dhe në mes të kastravecave kishte qese të mbushura me lëndë narkotike.
Nga peshimi rezultoi se bëhej fjalë për 1 ton kanabis dhe destinacioni i parë ishte Italia. Mendohet se kamioni do të shkarkohej përfundimisht në Holandë, ndërsa po verifikohen edhe praktikat në pikën doganore me Maqedoninë, pasi mendohet se është përdorur e njëjta skemë me tonelatat e mëparshme. Ndërkaq, në Vlorë policia sekuestroi 70 kg lëndë narkotike në sheshpushimin e një pallati.
Në pranga ra 24-vjecari Nikolas Toçaj, nga Vlora. Gjithashtu, në hyrjen e këtij pallati është gjetur dhe bllokuar një automjet tip furgon Ford, nën përdorimin autorit të dyshuar, i cili dyshohet se mund të përdorej për transportimin e lëndës narkotike.



