Dibra do të jetë kësaj radhe sërish një vatër e nxehtë elektorale. 4 kandidatë që synojnë këtë Bashki, e cila është kthyer në një ‘kala’ për çdo dibran që ulet ne karrigen e kryetarit.
Rahim Spahiu, Premtim Kryemadhi, Luan Haka dhe Dritan Torba nuk vijnë nga vija e parë e politikës së Tiranës. Por ata janë të njohur për komunitetin e tyre.
Socialistët kanë zgjedhur kësaj radhe një financier, pa asnjë kontribut në Partinë Socialiste. Rahim Spahiu me një karrierë 30-vjeçare në sistemin banker, por dhe në administratën publike. Me Rrugën e Arbërit e cila ende nuk ka përfunduar plotësisht edhe pse u hap këtë vit për qarkullimin mes shumë polemikave, kryeministri Rama synon ta kthejë Dibrën në ‘jastëkun e gjelbër’ të Tiranës dhe për këtë objektiv, ka zgjedhur Spahiun. Vetë ai ka thënë se ka prioritet turizmin, infrastrukturën dhe bujqësinë.
Hera e fundit që Partia Demokratike fitoi zgjedhjet lokale në Dibër ishte në vitin 2011, atëherë kur quhej Bashkia e Peshkopisë teksa kryebashkiaku i fundit demokrat ishte Ilir Krosi që drejtoi për 3 mandate.
Kësaj radhe opozita është e ndarë në dysh. PD e udhëhequr nga Lulzim Basha ka zgjedhur të garojë me Luan Hakën, një emër i njohur pasi prej 17 vitesh është i angazhuar në strukturat e partisë.
Aktiviteti i tij profesional fillon në vitin 2000 si administrator i një shoqërie private.
Edhe pse shkollën e mesme e ka mbaruar në vitin 1991, Haka universitetin e ka filluar në 2003 teksa në periudhën kur studionte për ekonomi agrare në UBT, ka filluar punë në vitin 2005 si inspektor i auditit të brendshëm dhe përgjegjës sektori në Prefekturën e qarkut të Dibrës deri në 2012, më pas drejtor rajonal i rrugëve për 7 muaj po në 2012 dhe në 2014 për 10 muaj specialist në Drejtorinë e Financës.
Premtim Kryemadhi është kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Karriera e tij është më pak e rëndësishme se sa lidhjet e tij familjare. Madje në daljen e tij të pare ai zgjodhi të prezantohet në këtë mënyrë
Po ashtu Premtim Kryemadhi është bashkëshorti i Belina Zenelit, prokurores së Dibrës e cila nuk hetoi dosjen 184 të zgjedhjeve lokale të 2016 në këtë Bashki. Ajo u shkarkua për “mos përmbushje të funksioneve” nga KLP vetëm disa ditë pasi Kryemadhi kishte zyrtarizuar kandidaturën.
Nga ana tjetër një i ri si Dritan Torba ka vendosur të sfidojë Hakën, Kryemadhin dhe Spahiun. Me profesion ekonomist, Torba nuk ka pasur asnjë eksperiencë të mëparshme politike madje muajt e fundit është anëtarësuar në partinë Lëvizja e Re.
Dibra mund të quhet ndryshe dhe si fushë-beteja e skandaleve elektorale. Në 6 vite, 5 kryebashkiakë të ndryshëm duke nisur me Shukri Xhelilin i cili pasi arriti të thyente hegjemoninë e Ilir Krosit dhe fitoi zgjedhjet në 2015, një vit më pas u rrëzua nga skandali i publikuar me zë e figurë mediatikisht pasi në këmbin të një vendi pune i kërkonte favore seksuale një 20-vjeçareje.
PS u përpoq të përmirësonte imazhin me Muharrem Ramën, ose njohur ndryshe si ‘Doktor Rrema’. Socialistët fituan sërish Dibrën. Teksa zgjedhjet e 2019 po afronin, gazeta gjermane ‘Bild’ publikoi një sërë audiopërgjimesh duke denoncuar skandalin e vjedhjes së votave në Dibër. U zbuluan telefonata të Ramës, Tahirit, Manjës, Ndreut me zyrtarë lokalë, madje shoqëruar dhe me fjalor banal
Dionis Imeraj fitoi zgjedhjet e 2019 në këtë Bashki, duke kujtuar se opozita i bojkotoi. Ndërkohë në 2021, po Imeraj la postin për të kandiduar për deputet, por nuk ia arriti qëllimit pasi renditej i treti në listë nga dy që fitoi PS në Dibër. Momentalisht Bashkia drejtohet nga i komanduari Shkëlqim Murrja.
Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar kjo Bashki nuk shpëtoi pa një skandal. Drejtuesi politik i PD, Xhelal Mziu i cili arriti t’u rikthejë fitoren demokratëve në Dibër, pak ditë para zgjedhjeve me një deklaratë publike paralajmëroi se kush do të vidhte votat do e pësonte njësoj si Pjerin Xhuvani, i cili 4 ditë para zgjedhjeve u vra gjatë një përplasjeje në kuadër të fushatës elektorale.
Menjëherë Mziu u pendua dhe kërkoi falje publike për deklaratën e cila gjithsesi nuk i ndikoi në fitoren e e PD në Dibër.
Dibra tashmë njihet si një zonë sizmike elektorale në Shqipëri, pritet të shihet cili do të jetë ‘tërmeti’ i radhës më 6 mars?



