Mbi 400 motoristë nga Shqipëria, vende të Rajonit dhe Europa morën pjesë në “Biker Fest” të organizuar pas katër vitesh mungesë në Shkodër. Zhurma e motorëve ndezi festën në qendër të qytetit. Gent Leva, kryetar i grupit “Shqiponjat e Rrugëve” që organizoi këtë festë thotë se motoristët po kthehen fuqishëm me aktivitete edhe pse mbështetja e institucioneve mungon ndërsa adrenalina e motorit është e papërshkrueshme. Shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut si miq në “Biker Fest” e shijuan jo vetëm udhëtimin por edhe atmosferën festive në qytet. Ata thonë se motori është një pasion i madh edhe pse shpesh i rrezikshëm. Të shumtë janë ata motoristë që këtë pasion të tyrin po e trashëgojnë edhe tek fëmijët. “Biker Fest” zgjati për disa orë teksa motoristëve iu bashkuan edhe shumë qytetarë shkodran në pedonalen përpara bashkisë duke festuar nën tingujt e muzikës.



