Ka nisur sot në stadiumin Kombëtar “Air Albania” vaksinimi i efektivëve të policisë.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetëssë Ogerta Manastirliu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka inspektuar procesin e vaksinimit.
Policia ka 1180 punonjës për t’u vaksinuar, ndërsa Garda e Republikës 1300 efektivë.
Vaksinimi i policëve ka nisur sot dhe në rrethe.
“Arena Kombëtare – Nis vaksinimi i uniformave blu në të gjithë Shqipërinë”, shkruan Rama.
Kryeministri tha gjatë lëvizjes se kishte lexuar një artikull të “Nju Jork Times”, në të cilin thuhej se “Sinovac ishte i pari në eficencë”.
Për 13 muaj pandemi si pasojë e COVID-19 kanë humbur jetën 28 punonjës policie, të cilët nuk kanë mundur t'i shpëtojnë virusit të rrezikshëm. Ndërkohë, të infektuar deri më tani në total janë regjistruar më shumë se 2 mijë efektivë.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme janë kryer 17.023 vaksinime në të gjithë vendin ndërkohë që nga totali prej 172.486 vaksinimeve të bëra mbi 100 mijë janë gjyshe dhe gjyshër.
Po dje nisi edhe procesi i vaksinimit të gazetarëve dhe operatorëve i cili do të vijojë çdo ditë në orën 15:00 në sheshin "Skënderbej".



