Përpara disa ditësh ka ndodhur diçka, që mua më bëri shumë përshtypje. Por më bëri përshtypje edhe që askujt tjetër nuk i bëri përshtypje. E kam fjalën për një letër përshëndetëse, që kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i dërgoi Joan Pelushit, kreut të sapozgjedhur të kishës ortodokse shqiptare. Unë jam pak konfuz, por edhe i zemëruar si shqiptar. Shoh kryeministrin grek që përshëndet kreun e Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare. Është një gjë që nuk ka kuptim. Unë do të doja ta kisha në studio kryeministrin grek, në mënyrë që t’i kërkoja motivet, në mënyrë që ai të shpjegohej për publik shqiptar se ç’punë ka kryeministri i një vendi të përshëndesë zgjedhjen e kreut të kishës së një vendi tjetër. Unë e kuptoj që ai mund të ketë parë një lidhje me faktin që paraardhësi i Pelushit ka qenë Janullatosi, që ishte me origjinë greke. Por kjo është një lidhje e dobët. Ok, Janullatosi ka pasur marrëdhënie shumë të mira me autoritetet greke, madje edhe me kryeministrat grekë, me disa kryeministra grekë, por vetëm kaq. Ne para më shumë se 30 vitesh e zgjodhëm Janullatosin në një kontekst të caktuar historik dhe politik. Nuk është vendi këtu për t’iu rikthyer atij momenti, por veç një gjë duhet thënë: Ai hap u hodh për shkak të nevojës emergjente që ndiente bota shqiptare për organizimin e Kishës së vet Ortodokse. Dhe duhet thënë se për më shumë se 30 vjet Janullatosi ka qenë në atë detyrë, dhe mënyra se si e ka ushtruar funksionin e tij baritor nuk ka të sharë. Të paktën, kjo është ajo që pretendojnë ata që e kanë njohur mirë dhe e kanë ndjekur me vëmendje punën e Janullatosit si klerik. I heqim kapelen për këtë, por pa harruar se Janullatosi ishte grek në krye të kishës autoqefale shqiptare. Janullatosi ishte një grek ortodoks. Dhe si rregull, çdo grek ortodoks është më së pari grek, e pastaj është ortodoks. Janullatosi nuk bën përjashtim. Dhe kjo është një gjë që unë nuk e them për të lënduar ndokënd, apo për të zhvleftësuar figurë e tij. E them sepse është e vërtetë, s’ka gjë se në këtë rast kryemnistri Mitsotakis kërkon të na mbushë mendjen se ai është në radhë të parë ortodoks, e pastaj grek. Nuk e beson njeri për këtë.

Fakti që unë përmenda se një grek ortodoks është më së pari grek, pastaj ortodoks, nuk të lë rehat kur mendon se për më shumë se 30 vjet në krye të kishës ortokse shqiptare ka qenë një grek. Shqiptarët e kanë injoruar këtë gjë, kanë bërë sikur nuk kanë parë ndonjë gjë që s’shkon, madje gjatë gjithë kohës e kanë vlerësuar kreun e Kishës Ortodokse shqiptare me origjinë greke. Dhe mirë kanë bërë, përderisa nuk mund ta çbënin më emërimin që atij iu bë në vitet 1990, mirë bënë që e respektuan deri në momentin e fundit, kur organizuan edhe atë varrim që rrallëherë i është rezervuar ndonjë personaliteti shqiptar të natyrës fetare apo të natyrës laike. Madje, unë kam përshtypjen se Janullatosi u vlerësua edhe më shumë sesa Ismail Kadareja, i cili u nda nga jeta disa muaj përpara se të ndahej Janullatosi.

Nuk pati xhelozi për këtë në Shqipëri. Por Janullatosi iku, e tok me të u mbyll edhe një kapitull. U mbyll kapitulli i kishës autoqefale ortodokse shqiptare të drejtuar nga një grek, që përbënte një anomali të historisë. Tanimë kjo kishë kthehet sërish në binarë të autoqefalisë. Ka në krye një shqiptar. E prandaj, unë e gjej pa kuptim që Mitsotakis-i e paska parë të udhës t’i dërgojë atij një letër, nëpërmjet së cilës e uron për detyrën, gjë që s’e ka bërë as kryeministri, as Presidenti shqiptar (në djeninë time). Prisja që të qortohej nga autoritetet politike të vendit tim. Por ata nuk e bënë, ndoshta nën skrupujt diplomatikë në marrëdhëniet me kryeministrin e një vendi fqinj. Por skrupuj të tillë duhet t’i kishte manifestuar edhe Mitsotakisi vetë. E nëse do t’i kishte skrupuj të tillë, atë letër nuk duhej ta kishte dërguar. Sepse ai nuk ka asnjë lidhje apo punë me ortodoksët e Shqipërisë. Ai ka nën hyqëm kishën greke, dhe kjo është punë e tij, sidoqë është në konflikt me modelet e organizimit laik të shteteve e të shoqërive në Europë, por kishën shqiptare nuk e ka. Nuk ka si ta ketë. Jo më, të paktën. Kisha ortodokse shqiptare, përsëris, është autoqefale. Kjo nuk do të thotë se është antigreke, siç ka qenë në origjinë (jo pa arsye), por aq më pak do të thotë se është greke. Është thjesht shqiptare. Dhe është kjo arsyeja që letra përshëndetëse e Mitsotakisit m’u duk – për ta thënë me fjalë të buta – absurde e surreale.

Një përshtatje e monologut të Mustafa Nanos në Arnautistan