Konstitucionalisti Jordan Daci tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se juristët nuk mund të shprehen për rastin Tahiri pa parë më parë përmbajtjen e dosjes.
Daci tha se nëse shpallet i pafajshëm Tahiri ka të drejtë t’i rikthehet politikës aktive dhe më fuqishëm se më parë, por nëse dënimi mbetet në fuqi ai ndalohet për 20 vjet nga ligji i dekriminalizimit të mos rizgjidhet dhe të mos ushtrojë funksione publike.
Lidhur me paraqitjen e ish-kryebashkiakut Dako në SPAK, Daci tha se "fakti që është thirrur disa herë e bën një person me risk të shtuar që të jetë subjekt procedimi".
Ai shtoi se: "Sot s’ka asnjë person që mund t’i shpëtojë vullnetit të SPAK për zbatimit të ligjit".
Lidhur me deklaratën e Yuri Kim mbi çështjen “Tahiri”, Daci thotë:
Është në të drejtën e saj ta shohë në këtë mënyrë, sepse reforma në drejtësi synonte t’u hiqte mbrojtjen atyre që ishin të mbrojtur, bëhet fjalë për politikanët dhe zyrtarët e lartë, që kishin krijuar një mbrojtje të padepërtueshme nga sistemi gjyqësor dhe kjo kishte çuar në nivele alarmante të padënueshmërisë. Nëse Tahiri s’do kishte qenë ish-ministër s’do përbënte asnjë lloj lajmi lirimi i tij.
Duke folur mbi lirimin e ish-ministrit, Daci shprehet:
Qenia ish-ministër e Tahirit ka ngritur dyshime që është trajtuar në mënyrë të diferencuar nga pjesa tjetër. Sistemi ynë gjyqësor nuk është aq miqësor për lirimin para kohe me kusht si rregull, por që të gjykohet saktë çdo njeri duhet të lexojë dosjen gjyqësore. Nuk e njoh dosjen, nuk i jap të drejtë vetes që të them që s’ka pasur shkaqe të arsyeshme ligjore gjykata që ka dhënë këtë vendim. Fakti që ka qenë ish-ministër që zhvilloi një betejë jo pak të vogël me drejtësinë dhe për fatin e tij të keq, u përfol përtej procesit, ka ngritur dyshime te publiku se është një rast ku drejtësia ka çeduar. Ky rast mund t’i nënshtrohet kontrollit dhe nëse do ketë parregullsi padyshim do ketë përgjegjësi. Sistemi gjyqësor nuk është një sistem që i nxjerr njerëzit jashtë përdorimit. Kështu është konsideruar deri tani si një mentalitet post-komunist. Në gjithë botën alternativat e dënimit janë mjete më efikase. Nuk është e drejtë për juristët të shprehen pa parë përmbajtjen e dosjes.
Drejtësia jonë ka qenë historikisht selektive. Besoj që doza e selektivitetit ka rënë. Imazhi, apo ideja që ka njerëz që s’i prek ligji është zhdukur, kjo është një nga arritjet më të mëdha të reformës dhe SPAK-ut vet. Vet fakti që z.Tahiri u dënua, edhe pse çështje e tij s’ka marrë formë përfundimtare, dhe duhet të jemi të rezervuar mbi fajësinë sepse Gjykata e Lartë s’e ka dhënë vendimin, tregon që sistemi ka funksionuar. Duhet të presim vendimin e Gjykatës së Lartë, që me gjithë Gjykatën Kushtetuese dy vitet e fundit po bën një punë shumë të mirë. Çdo sistem drejtësie do ketë viktimat e tij, edhe sistemet më të mira të botës kanë viktima, por e rëndësishme është që sistemi t’u japë mundësi rehabilitimi viktimave të tij, dhe numri të jetë sa më i vogël i mundshëm. Ajo që ne na ka dëmtuar është që nuk kanë funksionuar të gjitha mekanizmat e sistemit. Për dy tre vite sistemi ishte komplet jashtë funksionimit. Kjo tashmë është riparuar. Publiku duhet të mësohet me idenë që kritikat e forta ndaj gjyqësorit prodhojnë efekte negative më shumë se pozitive”.
I pyetur, a ka të drejtë t’i rikthehet politikës Saimir Tahiri, Daci shprehet:
Po mori pafajësinë padyshim që ka të drejtë të kthehet edhe më fuqishëm nga çka qenë. Nëse akuza do mbetet në fuqi ai ka ndalim 20 vjet sipas ligjit të dekriminalizimit që të mos rizgjidhet dhe të mos ushtrojë funksione publike. Gjithmonë nëse s’do kemi ndryshim të ligjit të dekriminalizimit”.
I pyetur mbi faktin që SPAK thirri për herë të dytë ish-kryebashkiakun Dako për ndërtimet në Durrës, Daci thotë:
Fakti që e kanë thirrur disa herë e bën një person me risk të shtuar që të jetë subjekt procedimi, por mund të jetë thirrur edhe për të dhënë dëshmi mbi fakte që s’lidhen domosdoshmërisht me personin. Nuk duhet paragjykuar pozita e tij në parim. Sot s’ka asnjë person që mund t’i shpëtojë vullnetit të SPAK për zbatimit të ligjit. Ka të paktën një vit që standardi i SPAK është rritur shumë dhe ka akoma vend për përmirësim. Me plotësimin e burimeve njerëzore dhe sistemin që po punon më mirë, SPAK do ketë një verë të nxehtë dhe viti i ardhshëm do jetë një vit i dukshëm i suksesshëm. Ne kemi në listë të majtë sepse ata janë në pushtet prej 2-3 mandatesh, por do kemi edhe të djathtë. Në fillimet e veta SPAK ka pasur cedime, dy dosjet që s’u trajtuan s’i duhet janë ato për zgjedhjet, janë turp për atë institucion, por edhe SPAK s’ka imunitet për të qenë i pagabueshëm”.
Sa i takon ndëshkueshmërisë së krimit zgjedhor Daci thotë:
Po të isha prokuror dhe gjyqtar nuk do falja kurrë një vjedhësh votash dhe manipulues zgjedhjes. Ka ardhur koha që SPAK të jetë më i ashpër se kurrë ndaj këtij krimi që po na shoqëron 33 vite. Ky lloj krimi shoqërohet me shkallë të madhe fshehtësie, politikanët bëjnë ’është e mundur të mos lënë gjurmë”.



