Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka thirrur nesër mbledhje për Këshillin Politik. Mbledhja është parashikuar të mbahet në orën 11:00.
Në mbledhje pritet të miratohen amendimet e marrëveshjes për reformën zgjedhore, që u arrit një javë më parë.
Në e-mailin e dërguar nga z.Gjiknuri për Z.Bylykbashi, zonjën Hajdari dhe z.Vasili thuhet se mbledhja duhet të trajtojë të gjitha temat e mbetura dhe të miratojë gjithë paketën e amendimeve që adresojnë marrëveshjen e arritur.
“Kjo bëhet edhe më e mprehtë nga nevoja për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare deri në miratimin e saj në seancë plenare, duke pasuar edhe me zgjedhjen e organeve përkatëse brenda këtij sesioni parlamentar që mbaron në fund të Korrikut 2020. Çdo vonesë në miratimin e ligjit dhe zgjedhjen e organeve të reja të KQZ do të rrezikojë fillimin e implementimit të teknologjisë për identifikimin elektronik në të gjithë vendin”, shkruhet në e-mailin e dërguar nga z.Gjiknuri.
Gjiknuri shprehet se “temat e tjera që kemi vendosur t’i adresojmë të ndara nga Kodi Zgjedhor, mund t’i trajtojmë në një mbledhje tjetër pasi puna e këtij Këshilli do të vazhdojë sikurse është rënë dakord me trajtimin e çështjes së Sistemit Zgjedhor, Ligjit për Referendumet dhe Ligjit pë Financimin e Partive Politike”.



