
Ul siparin Samiti i G20 në Romë. Ka angazhim për ta mbajtur ngrohjen globale nën 1.5 gradë, pranohet se është vërtetuar shkencërisht nevoja për të ndërhyrë, por afati i vitit 2050 për një botë me emetime zero zhduket nga drafti përfundimtar i G20 në Romë. Afati është përgjithësuar në “para ose rreth mesit të shekullit”.
Kryeministri italian, Mario Draghi, e cliëson këtë “një sukses”, i cili “hedh themelet për një rikuperim më të drejtë”, duke kujtuar se në marrëveshjen e Parisit nuk kishte asnjë lloj afati, as të paqartë dhe as të saktë.
“Nuk ishte e lehtë për të arritur këtë marrëveshje, ishte një sukses”, tha kryeministri Mario Draghi në konferencën e fundit për shtyp të samitit.
“Ky samit më bën të sigurt në kapacitetin që G20 duket se ka gjetur për të përballuar sfidat epokale ekzistenciale, nga Covid te klima. Ne kemi hedhur themelet për një rikuperim më të drejtë. Për klimën, për herë të parë, vendet e G20 kanë marrë përsipër të mbajnë brenda objektivit 1.5 gradë rritjen e temperaturës mesatare - shpjegoi Draghi - me veprime të menjëhershme dhe angazhime afatmesme. Financimi publik nuk do të shkojë përtej fundit të këtij viti".
"Urgjenca ekziston dhe është pranuar nga të gjithë dhe kjo shihet në faktin se objektivi 1.5 gradë është njohur si i vlefshëm shkencërisht. Kishte gjithashtu një angazhim për të mos ndërmarrë politika të emetimeve që bien ndesh me trendin që të gjithë janë zotuar ta monitorojnë deri në vitin 2030. Ky angazhim mund të mbahet. Pas Parisit, emetimet janë rritur, veçanërisht pas Covid-it. Ka një shqetësim dhe tani duhet të tregojmë besueshmëri duke zbatuar premtimet e bëra. Ne kemi hedhur themelet për një rimëkëmbje më të barabartë dhe kemi gjetur mënyra të reja për të mbështetur vendet në mbarë botën, 609 miliardë euro u dedikohen për herë të parë vendeve më të rrezikuara".



