Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg për policing Nevaldo Hajdaraj, të vënë nën akuzë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Seanca ka përfunduar pak çaste më parë, ndërsa në gjyq ka qenë i pranishëm edhe 31-vjeçari Hajdaraj.
Ndërkohë, Prokuroria ka lexuar të gjithë dosjen hetimore, ku ka sqaruar se gjithçka ka ndodhur brenda tri minutave.
Efektivi Hajdaraj, është shprehur gjatë seancës së sotme se është penduar për veprimin e kryer, ndërsa ka kërkuar që familja e viktimës të ishte në seancë në mënyrë që t’i kërkonte falje. “Sillni familjen këtu, dua t’i kërkoj falje. Kam marrë një jetë njeriu, merrni çfarëdo lloj mase ndaj meje. Jam penduar. Kjo që më ka ndodhur mua mos i ndodhtë aksujt”, mësohet të jetë shprehur polici 31-vjeçar.
Polici N.H, u shpreh se nuk kishte qëllim ta vriste, por vetëm mendoi se jeta e tij ishte në rrezik.
Më herët Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg” për efektivin, duke deklaruar se efektivi i “Shqiponjave” kishte qëlluar dy herë në drejtim të 25-vjeçarit në rrugën “Dritan Hoxha”. Akuza që rëndonte ndaj efektivit ishte ajo e “Vrasjes në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme”.
Nga të dhënat e deritanishme organi i akuzës doli në përfundimit se nuk është konstatuar asnjë rrezik potencial që i kanosej jetës së efektivit dhe nuk kishte arsye për të qëlluar me armë zjarri. Burime nga organi i akuzës thanë se janë këqyrur pamjet filmike të përftuara nga disa kamera sigurie, mes të cilave edhe një kamera që ndodhet përballë vendit ku u gjet i vrarë 25-vjeçari.



