
Diplomati Zef Mazi tha sot nga emisioni “Arnautistan” në MCN TV se e priste vendimin e BE për shtyrjen e negociatave të Shqipërisë. Duke theksuar se i njeh procedurat e integrimit të një vendi në BE, Mazi tha se ngërçi mes një shteti anëtar dhe një shteti kandidat bëri që të mos ecë përpara një vendim i mundshëm për konferencën ndërqeveritare, ndërkohë që shtoi se shpresohet që ende mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do të gjendet kompromis.
“Në mbledhjen e djeshme të këshillit të çështjeve të përgjithshme pati një spekulim në media nëse ishte apo jo në rendin e ditës Shqipëria dhe MV. Në fakt vendi ynë ishte në rendin e ditës dhe lajmi në media nuk ishte i vërtetë. U diskutua dje në mbledhjen e Këshillit se nuk është arritur konsensusi por ka një diferencë të madhe se në mbledhjet e mëparshme ka pasur mendime nga disa skeptikë nëse janë plotësuar konkluzionet e këshillit për të ecur para. Sot në mbledhje nuk ka pasur asnjë vërejtje për Shqipërinë se i ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe është për të ecur përpara në konferencën ndërqeveritare. Ngërçi midis një shteti anëtar dhe një shteti kandidat bëri që të mos ecë përpara një vendim i mundshëm për konferencën ndërqeveritare. Në rastin e hapjes së bisedimeve teknike ngërçi mes MV dhe Bullgarisë ka bërë që të shtyhet ky vendim. Starti teknik i negociatave, që është ulja në tavolinë do të duhet të miratohet kuadrin negociues i vendit nga Këshilli i BE dhe më pas paraqitet kuadri nacional i Shqipërisë. Pas miratimit bëhet konferenca e parë ndërqeveritare. Dje është diskutuar nëse do të duhet një konferencë e parë ndërqeveritare midis dy vendeve ose jo, për Shqipërinë s’ka pasur kontestime. Nuk është hata vendimi i djeshëm. Unë e prisja dhe e di procedurën që ndiqet. Shpresohet që ende mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do të gjendet kompromis. Presidenca gjermane dhe portugeze e këshillit bënë përpjekje të mëdha dhe presidenca sllovene besoj do ta gjejë zgjedhjen”, tha Mazi.



