Analisti Driton Lajçi deklaroi se ngërçi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në Kosovë nuk lidhet vetëm me emrat, por me përplasjen për pushtetin mes partive.
Sipas tij, partitë e tjera kërkojnë të dobësojë partinë fituese dhe ta detyrojë të ndajë pushtetin, gjë që ajo nuk e pranon. Lajçi shtoi se zgjedhjet e parakohshme janë të mundura teorikisht, por deputetët nuk duan të rrezikojnë mandatin.
Në lidhje me dialogun Kosovë–Serbi dhe integrimin drejt BE, ai theksoi se pa një qasje të qartë dhe pa u përballur me agjendën e SHBA, Kosova mbetet e pasigurt për hapat e ardhshëm.
Intervista:
-Zoti Lajçi, si ka mundësi që forcat politike në Kosovë nuk po gjejnë dot konsensusin për të dalë nga ky ngërç I gjatë politik?
-Po shohim që kjo po ndodh me hapa të ngadaltë dhe nuk mund të presim që kjo derë e vogël juridike e Gjykatës Kushtetuese nuk e ka hapur derën e madhe. Pa një marrëveshje të partive politike duket se nuk do të ketë një kryetar të ri.
-Çfarë synon opozita me këtë qëndrim që nuk voton asnjë kandidat të vetëvendosjes?
-Duket se nuk është çështje emri, por janë dhe çështje të tjera. Agjenda e tyre është që partia e parë të dobësohet, së dyti të bindet partia fituese që është obligative bashkëqeverisja dhe duhet dhënë një pjesë e pushtetit. Përshtypja ime është që partia e parë nuk është e gatshme të japë një pjesë të pushtetit.
-A mundet Kosova që të shkojë në zgjedhje të parakohshme?
-Teorikisht është e mundur, por përshtypja ime është që partitë politike ende nuk kanë arritur të nxjerrin një argument për publikun. Deputetët tashmë që janë të zgjedhur nuk janë gati të testohen edhe një herë në zgjedhje.
-Si ndikon kjo situatë tek përpjekjet e Kosovës për të avancuar jo vetëm dialogun me Serbinë, por edhe proceset e tjera për njohjen e shtetit apo integrimin drejt BE?
-Nuk do të kemi njohje sistematike të Kosovës siç ka qenë më herët. Mund të insistojmë të kemi njohje nga Siria, por nuk janë shumë shtete. Janë të rëndësishme të arrihet një marrëveshje me Serbinë, por se me çfarë asosacioni s’dihet ende. Nuk dihet ende qasja e Trump e dialogut Kosovë-Serbi. Qeveria e Kosovës nuk është përballur ende drejtpërdrejtë me agjendën e SHBA.



