Sekretarja e përgjithshme e PDIU-së dhe ish-deputete, Mesila Doda, thotë se vendi është futur në qerthullin e një regjimi monokratik. Në një intervistë në TvT për emisionin “Në fokus”, Doda tha Shqipërisë, demokracia nuk i ka mbetur më as si fasadë. Doda solli si shembull për këtë zgjedhjen që bëjnë në momentin që kanë nevojë për shërbim shëndetësor ata të cilët përfitojnë miliona nga buxheti i shtetit, përmes koncesioneve, për t’ua ofruar qytetarëve.
“Njerëz që fusin duart në buxhetin e shtetit. Zonja e koncesionit të check up, Vilma Nushi, që pasi ka marrë miliona nga xhepat e shqiptarëve për punë të pabërë, ditën që ka nevojë merr një çarter dhe shkon në Zvicër. Po ata mijëra shqiptarë që mund të kenë nevojë dhe do të detyrohen të shkojnë në spitalet me kushtet që kanë, pa aparatura. Nuk kemi më as fasadën e demokracisë. Jemi në rënien më të thellë të një regjimi monokratik”, tha Doda.



