Analisti Enton Abilekaj deklaroi se lëvizjet e reja politike nuk ndërtohen mbi figura të njohura, por mbi kriza dhe kauza që prekin drejtpërdrejt qytetarët. I ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV, ai solli shembuj nga Europa për të argumentuar këtë qasje.
“Ka modele të ndryshme të ngritura për arsye të ndryshme. Për shembull, duhet të marrim Syrizën; ajo u ngrit për shkak të krizës,” u shpreh Abilekaj, duke theksuar se konteksti social dhe ekonomik është vendimtar në krijimin e alternativave të reja politike.
Duke u ndalur te rasti i Hungarisë, ai përmendi figurën e Péter Magyar, për të cilin tha se arriti të ndërtojë një mbështetje të gjerë duke shfrytëzuar një moment kaosi dhe pakënaqësie publike.
Ai e kuptoi që ishte momenti për t’u ngritur me një kauzë dhe ngriti një ortek. Filloi në vitin 2024 dhe në maj fitoi rreth 30% të votave në zgjedhjet për Parlamentin Europian.
Sipas tij, suksesi i këtij modeli nuk lidhet me një strategji të ndërlikuar politike, por me aftësinë për të kapur pakënaqësinë qytetare dhe për ta kanalizuar atë në një lëvizje të fuqishme.
Ai nuk erdhi sepse njerëzit e njihnin më parë, por sepse kapi kaosin dhe krijoi një valë që nuk u ndal më.
Analisti theksoi gjithashtu se lëvizje të tilla arrijnë të bëjnë atë që partitë tradicionale nuk e realizojnë dot.
Ai diskreditoi sistemin dhe bëri atë që nuk e bënin dot partitë e konsumuara të opozitës, që shpesh bashkëpunonin me njëra-tjetrën.
Në fund, Abilekaj nënvizoi se thelbi i këtij fenomeni nuk është një model specifik kombëtar, por figura e një individi që shfaqet si denoncues i korrupsionit.
Nuk është model magjar, por modeli i njeriut që del si i pastër në një sistem të korruptuar dhe që ka guximin të denoncojë atë që opozita nuk e bënte.



