Duke folur mbi hetimet për financimin e PD, deputeti Edmond Spaho deklaroi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV se beson që nuk bëhet fjalë për para ruse, por për para oligarkësh dhe korrupsioni.
Spaho thekson se Basha e ka detyrim moral që të thotë të vërtetën për çështjen e fondeve.
Edhe sikur të supozojmë që Basha s’ka pasur qëllim, mënyra se si e drejtoi PD-në ishte shumë e gabuar. Por me dosjen që doli nga shërbimet sekrete amerikane, për financimet nga burime ruse, ku edhe këtu nuk e vë dorën në zjarr, kuptohen dhe interpretohen ndryshe disa zhvillime politike në PD 3 vitet e fundit. Psh lënia e mandateve për mendimin tim ishte presion politik që iu bë SHBA-ve, po ashtu edhe mos hyrja në zgjedhjet vendore. Këto zhvillime i shikoj në përgjegjësinë e madhe që kishte Basha. Pavarësisht çfarë është thënë në publik djegien e mandateve nuk e ka dashur asnjëri. Madje Basha na ka dhënë garanci që nuk do t’i djegim. Në një ditë të bukur mori vendimin dhe ia imponoi edhe grupit. Kam dyshimin që nuk duhet të jenë para ruse, por para oligarkësh dhe korrupsioni në Tiranë, që përmes kanale janë kaluar... Është e domosdoshme të bëhet një hetim. SPAK duhet ta kishte rihapur çështjen. Ka pasur përplasje të madhe mes prokurorëve. S’jam i sigurt nëse Prokuroria e mori deponimin e Nik Muzin në SHBA. E kemi mbështetur Bashën, duke u nisur nga parametra që ka mbaruar jashtë, është i edukuar, është mirë i kuruar nga pamja e jashtme. Unë mendoj që ai e ka obligim së paku moral të thotë të vërtetën për çështjen e fondeve, a janë para të brendshme korrupsioni, apo para ruse”.
Spaho tha se ka pasur më shumë demokraci në partitë politike kur ishte ligji mazhoritar, por në kontekstin e sotëm duhet menduar mirë se cili është sistemi i duhur për vendin.
Ka pasur më shumë demokraci nëpër partira kur ishte ligji mazhoritar se sa kur u bë ligji proporcional. Në 2008 kur u ndryshua ligji isha për mazhoritar proporcional. Sot me zhvillimin kaq të madh të krimit në Shqipëri, influencës së madhe të parave, të të fortëve, duhet menduar me shumë kujdes se cili sistem është më i miri”.
Lidhur me Lulzim Bashën, Spaho tha se e sheh të vështirë që ai të luajë ndonjë rol të ri politik.
E kam të vështirë ta shoh Bashën të luajë ndonjë rol. Do krijojë parti të re? Ai e kishte PD-në edhe nuk e mbajti dot, nuk e çoi dot në fitore. Gjykata nuk vendos me logjikë nëse vendos ndryshe. Gjykata vendos me urdhër, por kjo nuk e zgjidh çështjen. E patë në 6 mars rezultatin, ku Foltorja s’e kishte këtë forcë që ka sot”.
Spaho tha se PD do përpiqet që opozita të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje, ndërsa theksoi që do të zhvillohen edhe primaret. Ai shtoi se sado protesta të fuqishme të bëhen, në fund përballja do të bëhet në zgjedhje.



