Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për katër personat e arrestuar në lidhje me zjarrin që përfshiu një pallat në kompleksin “Arlis” në kryeqytet.
Nën këtë masë janë lënë Enver Ademi, inxhinier i kompanisë “Arlis”, Altin Furtuna, kontraktor i punimeve të fasadës, Agron Cara, administrator i pallatit, si dhe menaxherja e një marketi, nga ku dyshohet se ka nisur zjarri. E njëjta masë ishte kërkuar më herët edhe nga Prokuroria.
Sipas hetimeve paraprake dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, autoritetet dyshojnë se zjarri ka qenë pasojë e pakujdesisë.
Dy të mitur dyshohet se kanë hedhur një material të ndezur mbi disa kartonë të grumbulluar në pjesën e poshtme të pallatit nga një biznes aty pranë. Ky version është mbështetur edhe nga pala mbrojtëse gjatë seancës gjyqësore.
Fillimisht, policia e referoi çështjen me akuzën “shkelje e rregullave teknike të sigurimit në punë”, ndërsa Prokuroria e rikualifikoi veprën penale në gjykatë si “zjarrvënie nga pakujdesia”.



