
Quhet “Clearview AI” dhe ka krijuar një aplikacion revolucionar për njohjen e fytyrës, i aftë për t’i dhënë fund privatësisë ashtu si ne e njohim, sipas “New York Times". Aplikacioni ju lejon të gjurmoni nga një foto e vetme e një personi në të gjitha fotot publike të personit në fjalë, përfshirë dhe linqet ku shfaqen këto foto. Një mjet i fuqishëm ky që shkon përtej asaj që është krijuar ndonjëherë nga qeveria amerikane ose gjigandët e “Silicon Valley".
Përshkrimi i aplikacionit nga “New York Times” vjen pasi Bashkimi Evropian po shqyrton ndalimin e njohjes së fytyrës në vendet publike deri në pesë vjet, derisa të vendosen rregulla për të mbrojtur privatësinë. Policia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe FBI-ja dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare, tashmë përdorin aplikacionin “Clearview”, me të cilin mund të identifikojnë potencialisht këdo dhe mund të shtijnë në dorë dhe informacionin e tyre gjithashtu.



