
Po i jepet sot lamtumira e fundit ikonës së kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, e cila u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare.
Që prej orës 10:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit po mbahen homazhe në nder të aktores së ndjerë.
Personalitete të shquara të artit, kulturës, miq, dashamirës dhe bashkëpunëtorë kanë nisur nderimet për artisten e shquar.
Gazetari Besmir Pula në një raportim për MCN Live bën me dije se nuk mungojnë as figura të politikës si ministri Ulsi Manja, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Tedi Blushi, Erisa Xhixho, ndërsa pritet mbërritja e kryedemokratit Berisha dhe politikanëve të tjerë të rëndësishëm.
Xhepa arriti të bëhej një nga figurat më të dashura dhe më me zë në artin shqiptar, ku në karrierën e saj të jashtëzakonshme përfshihen mbi 180 role.
Ajo ka luajtur 150 role në teatër dhe 32 në filma, duke u vlerësuar gjithmonë si një nga “Zonjat e Mëdha” të skenës dhe ekranit shqiptar.



