
Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV kërkesën zyrtare të Kosovës për anëtarësim në BE dhe tensionet e fundit në Veri.
Milo thotë se BE është futur në një moment të ri ku kërkohet bashkimi i Europës, që përballet me luftën në Ukrainë.
Milo vë në dukje se ky moment i ri në proceset integruese të Kosovës do të ndikojë në njohjen e vendit edhe nga 5 vendet anëtare të BE.
Ky akt është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të Kosovës në BE. Thuajse është vendosur liberalizimi i vizave. Ka një moment të ri në proceset integruese të Kosovës. Është fillimi i një procedure normale që Kosova po e fillon, është një fillim i mbarë, që nuk është sfidë vetëm për Kosovën por edhe BE-në. Rrethanat janë bërë më të vështira tani që po përballemi me luftën në Ukrainë dhe BE duhet të tregojë solidaritet për Ballkanin Perëndimor, që është një rajon që mund të desikulibrohet, pasi veprojnë shumë aktorë që mund të bëjnë lojëra, sidomos të Serbisë në raport me Rusinë. Duke i dhënë Kosovës liberalizimit të vizave dhe Bosnjës statusin kandidat, dhe duke hapur procesin e integrimit të Kosovës, tregojnë që BE është futur në një moment të ri që ta bashkojë Europën, jo vetëm në kuptimin simbolik dhe organizativ.
Do ketë ndikime të tjera për njohjen e Kosovës. Do ndikojë në qëndrimin që do mbajnë 5 vendet anëtare që s’e kanë njohur akoma Kosovën. Në mos të gjithë do fillojë gradualisht te ata që kanë filluar të kenë simpati për njohjen e Kosovës. Anëtarësimi në BE nuk presupozon që ka njohje të shteteve, që mund ta hedhin votën për integrimin europian, por mund të mos ta njohin si vend. Ka dilemat e veta, por është mesazh pozitiv. Pranimi i Kosovës s’do ndodhë nesër. Do duhen vite që Kosova të anëtarësohet në BE. Mendoj që BE do të reflektojë sepse lufta në Ukrainë ka ndryshuar mjaft rrethana gjeopolitike dhe Europa duhet të përshpejtojë unitetin e vendeve që kanë shprehur dëshirën të jenë anëtare të BE”.
Lidhur me dokumentet e paraqitura sot nga Aleksandër Vuçiç, Milo tha se interpretimet e tij nuk kanë qenë të plota.
Presidenti i Serbisë i ka përmendur këto 5 dokumente në perspektivën e interesave të Serbisë dhe ka bërë një interpretim jo të plotë. Dokumentet janë miratuar në rrethana të caktuara dhe kohë të caktuara, jo në të njëjtën kohë. Konfirmojnë rrugën drejt pavarësisë, ose pavarësinë e Kosovës. Samiti i Selanikut e ka pohuar qartë perspektivën europiane të Kosovës. Nuk ka lënë mëdyshje që ta veçojë nga vendet e tjera të Ballkanin Perëndimor. Nuk ka dy vendime, ka një të Samitit të Selanikut 2003. Pse nuk përmend Vuçiç vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që thotë se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me rezolutën 1244”.
Historiani thotë se topi tani ndodhet në fushën e Beogradit, i cili sipas tij po bën përpjekje për të nxitur tension pasi nuk pranon propozimin franko-gjerman, që njeh Kosovën si shtet sovran.
Vizita e dyshes përfaqësuese të BE dhe SHBA u nxit edhe nga zhvillimi i ngjarjeve të fundit në Veri të Kosovës, që kërkon ndërhyrjen e SHBA dhe BE jo vetëm për të vazhduar dialogun por për të ndaluar rrjedhën negative ku kërkon Beogradi ta fusë krizën, sepse s’ka argumente për të kundërshtuar fillimin e negociatave, për platformën franko-gjermane. Kërkon të fitojë kohë duke trazuar ujërat. Kosova çfarë kërkuan e bëri, nuk e shtyhu më tutje çështjen e targave dhe shtyu zgjedhjet. U plotësuan kushtet dhe i dhanë mundësinë SHBA-së dhe BE-së që t’i drejtojnë sytë nga Beogradi.
Beogradi tashti nxit krizën që të fitojë kohë dhe të mos hapen negociatat për propozimin e dytë franko-gjerman. Varianti i dytë u është dërguar dy palëve, por që me sa duket Serbia po e kundërshton, sepse nuk do të pranojë që Kosova është vend sovran. Është shumë e lexueshme pse Beogradi nxit qarqe nacionaliste që të fitojë kohë dhe të pengojë procesin. Nuk e besoj të rikthejnë idenë e shkëmbimit të territoreve pasi e kanë kundërshtuar këtë ide. Është një proces që hap ‘Kutinë e Pandorës’, që do ta kthenin Ballkanin në vatër konflikti shumë dimensional. Qasja është që të krijohen shtete ku të funksionojë multi demokracia dhe multi etniciteti. Topi është në fushën e Beogradit dhe do ndiqet me vëmendje se çfarë qëndrimi do mbajë”.



