Call center-at në Shqipëri janë një nga sektorët me numrin më të madh punonjësve. Me rreth 25 mijë të punësuar, ky sektor përbën 5% të PBB-së. Rreth 79,5 % e punonjësve të këtyre bizneseve i përkasin grupmoshës 18-30 vjeç. 69.2% e tyre janë femra, ndërsa 30.8 % janë meshkuj.
Një analizë krahasuese mbi të drejtat e punës, legjislacionin, rregulloret dhe politikat në sektorin call center, e hartuar nga shoqata “Together for life”, nxjerr në pah disa nga problematikat me të cilat përballen punonjësit. Sipas analizës, kjo kategori punonjësish, pjesa më e madhe e të cilëve janë në moshë të re, përballen me probleme shëndetësore, si stresi, probleme të shtyllës kurrizore, problemet me veshët, shoku akustik etj.
Në një intervistë për Tema TV, menaxherja e projektit, Arlinda Shehu, e vë theksin në një prej çështjeve kryesore që evidenton analiza e kryer së fundmi: mungesa e mjekut të punës dhe vizitat mjekësore fiktive. Në bazë të analizës, rreth 30 % e punonjësve në call center kanë probleme shëndetësore.
Një tjetër element që ka nxjerrë në pah analiza është përfaqësia sindikale, e cila pavarësisht përpjekjeve nuk ia ka dalë të formalizohet dhe të mbrojë të drejtat e të punësuarve.



