
Kuvendi i Republikës ka ndryshuar sot formulën e përfaqësimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nga 18 anëtarë që ishin deri tani, ky komision do të përbëhet nga 10 anëtarë, pesë nga Partia Socialiste dhe 5 nga opozita.
Ky ndryshim vjen pas negociatave me deputetët e opozitës së re, duke përfshirë kështu në komision edhe këta të fundit.
Mësohet se kryetar i Komisionitë të Reformës Zgjedhore do të jetë Damian Gjiknuri, ndërsa emrat e deputetëve që do të përbëjnë komision janë nga PS: Blerina Gjylameti, Bashkim Fino, Klotilda Ferhati dhe Alket Hyseni.
Anëtarët e opozitës së re të dalë nga listat e PD-së do jenë Rudina Hajdari dhe Andi Përmeti, ky i fundit është bërë tashmë pjesë e 'Bindja Demokratike'.
Ndërsa, anëtarë nga 'grupi i pavarur' do të jenë Ralf Gjoni dhe Nimet Musaj, të dalë nga listat e LSI.
Deputeti i grupit parlamentar të pavarur, Ralf Gjoni tha se qeveria ka tërhequr draftin për reformën zgjedhore. Në një deklarat që për mediat pas përfundimit të mbledhjes së komisionit, ai tha se kushti që i kanë vendosur qeverisë është ndryshimi i objektit të komisionit të reformës zgjedhore. Sipas Gjonit, shtyrja e zgjedhjeve mund të jetë e mundur, por vetëm nëse kjo i shërben ndryshimit të sistemit zgjedhor.
"Jam mirënjohës që PS e tërhoqi draftin e fundit të saj të javës së kaluar dhe ne sot kemi qenë në bisedime me grupin demokrat dhe socialist për të hartuar një draft të pranueshëm sa i përket objektit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
Ne kemi kërkuar që objekti nga thjesht adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR të pasqyrojë një hapje të debatit mbarëkombëtar sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor, sepse besojmë se baza e të këqijave janë ndryshimet e 2008.
Kemi propozuar që ndryshimi i sistemit zgjedhor të futet në objekt të këtij komisioni. Kam besim se do të biem dakord për ta ndryshuar këtë objekt dhe do isha i kënaqur që amendimi që ne kemi propozuar të futet nesër në parlament për votim”, tha deputeti Gjoni.
Këto ndryshime pritet që të miratohen gjatë seancës së nesërme në Kuvend, ndërsa afati i komisionit parlamentar do të jetë deri në datë 28 nëntor, ku është përfshirë dhe ndryshimi i sistemit.



