Ish-zonja e parë e Koresë së Jugut, Kim Keon-hee, është shtruar në një spital të Seulit për depresion të rëndë, ndërsa është nën hetim për krime të dyshuara të kryera gjatë presidencës së bashkëshortit të saj, Yoon Suk-yeol, i cili u largua nga detyra pas shpalljes së dështuar të gjendjes ushtarake dhjetorin e kaluar.
Burime mjekësore dhe ligjore i thanë gazetës “Korea JoongAng Daily”, se Kim filloi të merrte trajtim ambulator javën e kaluar, por më vonë u shtrua në spital të hënën, më 16 qershor, për shkak të ashpërsisë së gjendjes së saj klinike, e cila gjithashtu shfaqi episode hiperventilimi që kërkonin ndërhyrjen e pulmonologëve.
Sipas të njëjtave burime, Kim fillimisht refuzoi shtrimin në spital. Ish-Presidenti Yoon vizitoi gruan e tij të hënën në mbrëmje, pas një paraqitjeje në gjykatë.
Mandati i Kim si zonjë e parë u shënua nga skandale të shumta që kontribuan në rënien e popullaritetit të Yoon. Në vitin 2022, ajo u filmua ndërsa merrte një çantë Dior me vlerë rreth 3 milionë won, rreth 2200 euro, nga një pastor koreano-amerikan, Choi Jae-young.
Rasti shkaktoi një hetim për korrupsion, i cili më vonë u pezullua për shkak të mungesës së provave që e lidhnin dhuratën me funksionet zyrtare të gruas.
Incidente të tjera përfshijnë dhurata të supozuara luksoze, duke përfshirë dy çanta dore Chanel dhe një gjerdan diamanti Graff me vlerë rreth 60 milionë won (rreth 44.000 euro), të cilat dyshohet se janë dorëzuar nga një anëtar i Kishës së Unifikimit përmes shamanit Jeon Seong-bae.
Kim akuzohet gjithashtu se është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet lokale përmes lidhjeve me ndërmjetësin politik Myung Tae-kyun, i cili dyshohet se ka kryer sondazhe të paligjshme dhe ka manipuluar nominimet përmes institutit të tij kërkimor Future Korea.
Presidenti demokrat në detyrë Lee Jae-myung autorizoi javën e kaluar një hetim të posaçëm jashtëzakonisht të madh, që përfshin më shumë se 500 hetues.
Hetimi drejtohet nga ish-kryetari i Gjykatës së Qarkut Qendror të Seulit, Min Joong-ki , dhe përqendrohet në veçanti në akuzat për manipulim financiar dhe korrupsion.
Njëkohësisht, Kim po përballet edhe me probleme në frontin akademik. Të hënën, Universiteti i Grave Sookmyung njoftoi se do të ndryshojë rregulloret e tij të brendshme për të lejuar revokimin prapaveprues të diplomave të dhëna para vitit 2015.
Ky veprim hap rrugën që diploma master e Kim-it e vitit 1999 të anulohet, pasi u konfirmua plagjiaturë në tezën e saj mbi piktorin Paul Klee.
Akuzat dolën për herë të parë në vitin 2021 dhe u konfirmuan më herët këtë vit pas një shqyrtimi të brendshëm. Universiteti Kookmin gjithashtu planifikon të anulojë doktoraturën e Kim-it të vitit 2008, sepse ajo bazohej në gradën master që po anulohet.
“Nëse diploma master e kërkuar për të hyrë në programin e doktoraturës anulohet, vetë doktoratura konsiderohet e pavlefshme”, tha një zyrtar i universitetit, duke shtuar se anulimi do të ndodhë pa ndryshuar rregulloret e tij akademike.



