“Është e nevojshme t'i thuhet Kongresit Amerikan se nëse nuk e ndihmon Ukrainën, Ukraina do ta humbasë luftën": Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë një videotakimi të platformës United24 për mbledhjen e fondeve të organizuar nga Kievi, kërkoi sërish ndihmën e SHBA-ve.
“Mbrojtja ajrore po mbaron, nëse rusët vazhdojnë të godasin Ukrainën çdo ditë siç kanë bërë muajin e kaluar, ne mund të na mbarojnë raketat dhe partnerët tanë e dinë këtë”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas shtoi se është e nevojshme të mobilizohen 300 mijë njerëz deri më 1 qershor, por ai nuk është i sigurt se do të jetë e mundur. “Presidenti Erdogan dëshiron të ndërmjetësojë, por vetëm Turqia nuk mjafton si ndërmjetës”, shtoi ai.
Ushtarët ukrainas "sulmohen masivisht dhe madje do të thosha në mënyrë rutinore nga bomba ajrore të drejtuara (ruse, red.) të cilat fshijnë pozicionet tona", tha për Financial Times ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Sipas zyrtarëve të mbrojtjes në Kiev, forcat ruse kanë lëshuar rreth 3500 bomba ajrore që nga fillimi i vitit, një rritje 16-fish në krahasim me të gjithë vitin 2023.
Vetëm në javën e tretë të marsit, Rusia "ka nisur mbi 700 bomba ajrore të drejtuara”, deklaroi së fundmi Presidenti Volodymyr Zelensky.
"Bombat ajrore të drejtuara ruse janë shumë të thjeshta në thelb, kështu që nuk mund t'i bllokosh, nuk mund të fshihesh prej tyre, e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten është të rrëzosh bombarduesin që i mban ato," tha Kuleba, duke theksuar se për të arritur këtë objektiv, Ukraina ka nevojë për sisteme shumë më moderne të mbrojtjes ajrore.



