Bosi italian i Cosa Nostra-s, Mateo Mesina Denaro, i akuzuar për dhjetëra vrasje, ndodhet në vdekje klinike. Gjendja është e pakthyeshme, thonë mjekët, ndërsa i kanë ndaluar edhe kurat, me kërkesë të mëparshme të tij. Denaro kërkon varrim të thjeshtë, pasi, sipas tij, Zoti do ta gjykojë, jo ata që kanë politizuar besimin në Zot.
Shefi i mafies italiane Cosa Nostra, Mateo Mesina Denaro, është futur në koma të pakthyeshme, ndërsa i mbeten pak orë jetë, shkruajnë mediat italiane. Ai vuante nga kanceri në zorrën e trashë dhe ka përkeqësim të pakthyeshëm të shëndetit.
Në amanetet e fundit, ai refuzon çdo ceremoni fetare në nder të tij.
“Marrëdhënia ime me besimin është e pastër, shpirtërore dhe autentike, jo e kontaminuar dhe e politizuar. Zoti do të jetë drejtësia ime”, shkruan bosi i mafies në testamentin e tij.
62-vjeçari ndodhet i shtruar në qelinë e repartit të të burgosurve të spitalit San Salvatore në L'Aquila, ndërsa është pezulluar çdo terapie onkologjike ndaj tij.
Edhe pse në fazat e fundit të jetës, në burgun e sigurisë maksimale ku qëndron bosi i mafies, janë forcuar masat e sigurisë nga Policia, Karabinierët dhe Ushtria. Denaro u kap në janar të këtij viti, pas 30 vitesh në arrati. Në janar, policia e gjurmoi dhe e arrestoi në një klinikë private të kancerit në Palermo, ku po trajtohej me një emër të rremë.
Messian Denaro u dënua me burgim të përjetshëm për rolin e tij në një seri vrasjesh në Itali. Ai është fajësuar për bombat që vranë prokurorët kryesorë antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.



