Kreu i VV-së, Albin Kurti, është takuar me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 40 ditëve. Kurti tha para mediave se data e zgjedhjeve duhet të shpallet sa më shpejt.
“Ne nuk kemi folur për një datë konkrete, por kemi shprehur interesimin tonë që të jetë sa më afër data e zgjedhjeve në harkun e caktuar kohor që varet nga dita kur të vijë aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti.
Në bashkëbisedimin me gazetarët, që pasoi takimin konsultativ, Kurti u pyet për atë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj thotë se të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mundë të kandidojnë në zgjedhje. Ai tha se për këtë duhet të pritet zbardhja e vendimit të gjykatës.
“Në anën tjetër, sa u përket hollësive të cilat i ka përmendur GJK-ja, ne gjithashtu duhet të presim aktgjykimin e plotë që të japim përgjigjen tonë dhe unë në këtë takim dhe në takimet në vijim do të jem gjithmonë i shoqëruar nga këshilltari ligjor, Blerim Sallahu, i cili e ka mbrojtur çështjen tonë në GJK, për çka morëm një përgjigje pas më shumë se 6 muajve”, u shpreh ai.



