Avokati Naim Hasani, pas përplasjes mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça në Vlorë, kërkon që të hetohen lidhjet e biznesmenëve me Kadastrën.
Në një intervistë për “MCN Live” ai deklaroi se për hir të drejtësisë duhet të hetohen mbivendosjet, aktet kadastrale dhe tjetërsimi i pronës.
Në një vend ku sundon ligji dhe drejtësia, nuk ka vend për vetëgjyqësi. Në një vend ku dominon krimi i organizuar, në atë vend ka vetëgjyqësi, probleme të theksuara me pronën, shtetin ligjor dhe të drejtën e qytetarëve për të kërkuar atë që ju takon.
Mungesa e theksuar e rendit, drejtësisë, zbatimit të ligjit, influencës së qytetarëve të korruptuar në elementin më kryesor të Kadastrës, ku regjistrohen pasuritë e vendit. Është një arsye kryesore pse qytetarët arrijnë në akte të tilla.
Për hir të drejtësisë duhet të hetohen mbivendosjet, aktet kadastrale, tjetërsimi i pronës, prej 36 vitesh, që nga ligji që qeveria e parë demokratike bëri për rishpërndarjen e tokave. Ka pasur tjetërsim të jashtëzakonshëm nga çdo qeveri, politikanë që kanë vënë vulën e tyre në tjetërsimin e pronës.
Duhet të ketë një hetim të thellë për mënyrën se si pronat janë tjetërsuar në Shqipëri. Nuk është vetëm rasti i dy biznesmenëve, por edhe i shumë qytetarëve shqiptarë që kanë humbur jetën prej akteve kriminale, ku janë mbivendosur dhe shitur prona.
Problemi që kanë qytetarët shqiptarë, është se gjykatat shqiptare. Prokuroria shqiptare duhet të hetojë një biznesmen, dy biznesmenë, shumë biznesmenë që kanë arritur të tjetërsojnë pronat e shqiptarëve.
Problemi kryesor janë institucionet që kanë kryer vepra kriminale, me tjetërsim pronash dhe shitje pronash në bregdet, që iu bëhen biznesmenëve, ndaj titullarët e institucioneve duhet të hetohen, pasi favorizojnë ata që kanë para.
Duhet të hetohen lidhjet e biznesmenëve me Kadastrën. SPAK duhet të hedhë dritë mbi këto afera korruptive dhe të vihen para drejtësisë zyrtarët e lidhur me krimin.



