
Nga studio e lajmeve të MCN TV, deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati i bëri thirrje Partisë Demokratike të vendosë në vend dinjitetin politik duke marrë pjesë në shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Gjatë intervistës, Bushati theksoi thirrjen e PS për bashkëpunim me PD duke thënë se “nuk është e logjikshme që palët në Shqipëri të shikohen si armiq apo kundërshtarë për jetë a vdekje. Ne jemi garues dhe është normale të kërkojmë bashkëpunim”.
Pjesë nga intervista në studion e MCN TV:
Bushati me numrat ne Kuvend duket se rrugën nuk e keni të vështirë. Por, në fund mendoni se do tu japë të drejtë Kushtetuesja?
Bushati: Ne kemi prezantuar nismën për shkarkimin e Metës. Presidenti Meta nuk është presidenti i unitetit të shqiptarëve, nuk është mbi palët, nuk është apolitik dhe këtë herë ka përdorur gjuhë nxitje urrejtje dhe aspak të përshtatshme për një politikan. Të gjitha këto arsye ne i kemi paraqitur në Komisionin e Ligjeve sëbashku me kolegen Vasilika Hysi. Nisma është pranuar nga komisioni dhe sot është miratuar edhe në seancë plenare me 96 vota. Ka një mbështetje të gjerë.
PD e konsideroi turp…
Bushati: PD është palë me Metën, është në koalicion. Ne e dimë që ai është pronar i një partie opozitare, të gjithë e dinë që është aksioner me kutoa të plota 100% i LSI dhe ka bërë hapur fushatë për opozitën dhe për këtë arsye ne e kemi çuar çështjen para parlamentit dhe i kemi bërë thirrje PD që të vendosë në vend dinjitetin politik dhe të marrë pjesë në shkarkimin e Metës.
Duket se e keni me kaq dëshirë të lidhni urat e bashkëpunimit me PD vetëm që Meta të ikë nga zyra…
Bushati: Ne kemi ngritur ura bashkëpunimi dhe kemi bërë thirrje për bashkëpunim me PD që me procesin zgjedhor dhe do vazhdojë të ketë ura bashkëpunimi për të mirën e Shqipërisë. Nuk është e logjikshme që palët në Shqipëri të shikohen si armiq apo kundërshtarë për jetë a vdekje. Ne jemi garues dhe është normale të kërkojmë bashkëpunim.



