
Autoritetet indoneziane ngritën të enjten nivelin e alarmit për malin Ibu, një vullkan në provincën Maluku të Veriut, në nivelin më të lartë pas një serie shpërthimesh që nga java e kaluar.
Vullkani 1325 metra i lartë në bregun veriperëndimor të ishullit të largët të Halmahera ka nxjerrë hi të trashë gri dhe re të errëta deri në 5000 metra në ajër çdo ditë që nga e premtja e kaluar.
“Bazuar në rezultatet e monitorimit vizual dhe instrumental që tregojnë shfaqjen e rritjes së aktivitetit vullkanik për malin Ibu, kemi ngritur nivelin e alarmit nga 3 në 4”, tha Muhammad Wafid, shefi i Agjencisë së Gjeologjisë të Indonezisë.
Zyrtarët këshilluan banorët dhe turistët që të mos kryejnë asnjë aktivitet brenda 7 kilometrave nga krateri dhe të jenë të vetëdijshëm për potencialin e një shpërthimi që përfshin lëshimin e llavës nga maja e tij.
Autoritetet lokale kanë përgatitur tenda evakuimi, por deri tani ende nuk është raportuar një urdhër zyrtar evakuimi.
Tërmetet e thella vullkanike dhe aktivitetet vizuale nga mali Ibu janë rritur ndjeshëm.
Indonezia, një arkipelag prej 270 milionë banorësh, ka 120 vullkane aktive.
Vendi është i prirur ndaj aktivitetit vullkanik, sepse ndodhet përgjatë “Unazës së Zjarrit”, një seri linjash sizmike në formë patkoi rreth Oqeanit Paqësor.



