
Presidenti Meta i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të mos shantazhojë institucionet e tjera, me qëllim pengimin e zbatimit të dekretit të tij për zgjedhjet e 13 tetorit. Duke iu referuar Ramës dhe dy krerëve të partive opozitare, si “tre artistët”, Meta tha se ata duhet të marrin masa për garantimin e zgjedhjeve.
“Ajo që na shqetëson më shumë është ky Teatri i madh politik, absurd, i cili kërcënon që Shqipëria të dërrmojë çdo mundësi për të çelur negociatat në 17-18 tetor. Prandaj dhe njëherë iu bëj thirrje të gjithëve, në mënyrë të veçantë të tre artistëve t’i japin fund këtij absurdi të marrin masa për zgjedhjet vendore më 13 tetor sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi, të kenë normalitet, të kenë një qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe po kështu që garanton llogaridhënie për të gjitha shqetësimet e tyre. Sigurisht që 13 tetori dhe zgjedhjet më 13 tetor, për zgjedhjet vendore nuk besoj se zgjidhin gjithçka por ky është një detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm. Në radhë të parë është detyrim për kryeministrin që të heqë dorë nga shantazhet dhe presionet ndaj gjithë institucioneve të tjera duke penguar zbatimin e këtij dekreti dhe padyshim është përgjegjësi e gjithë të tjerëve të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 13 tetorit”, tha ai.
Meta tha se vendi është futur në kaos, për të cilin është përgjegjëse edhe opozita. “Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka. Sot kemi një situatë jashtëzakonisht kaotike në të gjitha drejtimet. Kjo është përgjegjësi e palëve politike në vend. Asnjë nuk mund të shfajësohet sepse dhe opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë dhe të përgjegjshme shumë nga këto marrëzitë që kanë ndodhur në drejtim të përparimit të skenarit të qartë të kapjes së gjithë institucioneve në vend. Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk takohen me njëra-tjetrën, të paktën hapur ose publikisht dhe në interesin e qytetarëve shqiptarë, që janë rruga e kapjes së të gjitha institucioneve nga njëra anë dhe rruga tjetër e de legjitimimit të gjithë institucioneve”, tha ai.



