Në emisionin MCN Economy, ekspertët e ekonomisë, Elvin Meka dhe Pano Soko, komentuan rritjen e çmimit të naftës si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e pritshëm në tregun shqiptar.
Meka, u shpreh se edhe pse Shqipëria nuk është në qendër të konfliktit, ndikimi në ekonomi është i pashmangshëm.
Me shumë gjasa efektet do ndihen 1-2 javë pas. Natyrisht nuk jemi në vatrën e nxehtë, por gjithsesi jemi të ndikuar drejtpërdrejt nga ajo që ndodh, pasi ndikimi i menjëhershëm që ka çdo luftë reflektohet direkt në ekonomi. Çdo konflikt, në një pjesë të rëndësishme të tij, ka në plan të parë ekonominë.
Ai theksoi se Shqipëria do të fillojë shumë shpejt të ndjejë rritjen e çmimeve.
Jam i sigurt se nga java që vjen këto lloj efektesh do të fillojnë të ndihen edhe në tregun shqiptar. Duke qenë se kontinenti evropian është thellësisht i varur nga ajo që ndodh në këto zona, në mënyrë të pashmangshme do të preket, por mbetet për t’u parë sa do të jetë amplituda në këto produkte.
Sipas tij, ndikimi do të jetë zinxhir në ekonominë globale.
Do ketë ndikim të pashmangshëm në çmimet globale dhe më pas do të preket në mënyrë zinxhir gjithçka. Kemi pasur gjatë 2024 edhe çmime që kanë qenë më të larta se sot, por ajo që bën përshtypje në Shqipëri është se çmimi qëndron në mënyrë konstante, jo elastik, i fiksuar te 175 lekëshi. Kemi rreth dy vite me këtë çmim fiks. Është e habitshme që në Shqipëri çmimet nuk reflektojnë bursat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Pano Soko u ndal te furnizimi me energji dhe funksionimi i tregut të naftës në Shqipëri.
Evropa ka një linjë furnizimi nga Lindja e Mesme. Konflikti mund të ulë furnizimin në Evropë.
Ai shpjegoi se tregu global funksionon si një sistem i ndërlidhur.
Bota është një enë dhe nafta është një lëng në enë. Në momentin që në një cep të enës mungon një furnitor, pjesa tjetër do mundohet të përhapet në atë pjesë. Kur ka mungesë oferte, çmimi rritet dhe këtu rol të madh luan edhe spekulimi, loja me emocionet e pritshmërive.
Sipas Sokos, rritja e menjëhershme e çmimeve lidhet më shumë me pritshmëritë sesa me mungesën reale.
Nuk ka aq mungesë efektive për ta rritur çmimin kaq shumë për 48 orë, por pritshmëria që do ketë mungesë nesër e rrit çmimin sot.
Ai ngriti edhe shqetësimin për tregun vendas.
Nafta në Shqipëri ka taksa shumë të larta. Të gjithë kanë rënë dakord me njëri-tjetrin që, çfarëdo që të ndodhë, të mos ulin çmimin dhe kjo vjen për shkak të mungesës së shtetit. Në Shqipëri kemi një marrëveshje karteli mes kompanive tregtare.
Sipas tij, ndërsa çmimet në rritje reflektohen menjëherë, uljet nuk ndjekin të njëjtin ritëm.
Kur vjen puna për rritje, çmimi reflektohet menjëherë, por jo kur vjen puna për ulje. Kanë gjetur dorë të lirë nga shteti, prandaj edhe çmimi i naftës ka nisur të rritet që sot në Shqipëri.



