Lotaria kombëtare, shoqëria shqiptare që aktualisht zotëron eskluzivitetin e lojërave të LOTARISË ka nisur procedurën e arbitrazhit me shtetin shqiptar. Hapi i parë i ndërmarrë është deklarimi i mospërmbushjes së detyrimeve nga pala shqiptare. MCN TV ka mësuar se sipas letrës së datës 27 prill 2021 që Lotaria Kombëtare i ka nisur Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shoqëria kërkon:
1. Likuidimin e dëmeve në masën 80 milionë euro (nga 2016 deri më 30 prill 2021), të llogaritura në kuotën 150 milionë euro nëse dëmet do të vazhdojnë deri në fund të marrëveshjes, pra deri në fund të prillit 2023 (kontratë 10-vjeçare)
2. Të lejohet Lotaria Kombëtare sh.p.k. të zhvillojë lojërat që ka në të drejtën e saj sipas ligjit të posaçëm dhe sipas ligjit të lojërave të fatit në fuqi (155/2015 i ndryshuar)
Lotaria Kombëtare po ashtu ka rezervuar të drejtën të kërkojë dëme më të larta me kalimin e kohës. Kjo sepse dëmi në fjalë i referohet një procedure të vetme, të nisur me një konflikt në vitin 2016 midis Lotarisë Kombëtare dhe Autoriteti të Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit. Konkretisht, mësohet se, në korrik 2016 AMLF i ka refuzuar Lotarisë Kombëtare të zhvillojë disa lojra virtuale në dyqanet e saj. Nisur nga ky refuzim, Lotaria Kombëtare ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, ku dhe ka fituar procesin në dhjetor të vitit 2016. Këtë vendim AMLF e ankimoi në Apel, por e humbi, dhe si pasojë procesi është mbyllur duke marrë formë të prerë në maj 2019. Por dhe pas vendimit të Apelit, AMLF nuk ka pranuar të autorizojë Lotarinë Kombëtare t’i zhvillojë këto lojëra.
MCN TV mëson se për këtë qëllim para 3 javësh është ngritur një komision pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, drejtuar nga zv.ministrja Vasilika Vjero.
Sipas parashikimeve të marrëveshjes mes Lotarisë Kombëtare dhe shtetit shqiptar, neni 29, faza e parë, “shkallëzimi i brendshëm” ka mbaruar tashmë duke qenë se ka patur 30 ditë afat. Tashmë për pak ditë sipas afatit 60-ditor që zgjat faza e dytë, skadon dhe mundësia e dytë, e cila është ndërmjetësimi opsional dhe me sa duket palët do të procedojnë me kalimin direkt në arbitrazh. Nuk dihet nëse procedura e nisur në mes të korrikut nga Avokatura e Shtetit për zgjedhjen e një studioje ligjore të re, i referohet çështjes së ngritur nga Lotaria Kombëtare, duke qenë se sipas marrëveshjes mes palëve të votuar në Kuvend në 2013, vendi i arbitrazhit është paracaktuar Zyrihu, ndërkohë që procedura e Avokaturës së Shtetit i referohej Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.
MCN TV ka mësuar dhe për një tentativë negocimi jashtë zyrave nga pala austriake. Së fundmi, Thomas Komnacky, zv.president i Global Operations of Novomatic Group, kompania mëmë e Lotarisë Kombëtare, ka vizituar Tiranën. Sipas burimeve, Komnacky është takuar me përfaqësues të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, por zyrtarë të Ministrisë së Financave të pyetur nga MCN konfirmuan tentativat për negociata, por thanë se ato nuk kanë nisur ende.



