Përdorimi i kanabisit si ilaç, ose i kanabisit mjekësor, gjatë shtatzënisë redukton shprehjen e gjeneve të caktuara të aktivizimit imunitar në placentë, duke rezultuar në rritje të niveleve të ankthit, agresionit dhe hiperaktivitetit tek foshnja.
Këtë e zbulojnë rezultatet e një studimi të ri të kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përdorimi i këtij ilaçi kanabinoid është i autorizuar për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.
"Ne e dimë se kanabinoidet luajnë një rol në modulimin e stresit, prandaj disa njerëz përdorin kanabis për të reduktuar ankthin dhe për t'u çlodhur", tha autori kryesor i hulumtimit, por studimi ynë tregon se ‘marrja gjatë shtatzënisë ka efekt të kundërt tek foshnjat, duke shkaktuar një rritje të ankthit, agresionit dhe hiperaktivitetit në krahasim me foshnjat që nuk ishin ekspozuar ndaj kanabisit gjatë shtatzënisë së tyre”.
Hulumtimi përfshiu 322 çifte nënë-fëmijë që morën pjesë në një studim afatgjatë të stresit në shtatzëni. Në moshën rreth gjashtë vjeç, çdo fëmijë u vlerësua për tiparet neuro-sjellëse, nivelet e hormonit të stresit ( kortizolit ) duke analizuar ndryshueshmërinë e flokëve dhe rrahjeve të zemrës në pushim dhe në prani të stimujve dëgjimor.
"Analiza e flokëve zbuloi një rritje të nivelit të kortizolit tek fëmijët e lindur nga nëna që kishin marrë kanabis gjatë shtatzënisë. Këta fëmijë shfaqën gjithashtu ndryshueshmëri të ulët të rrahjeve të zemrës, e cila shoqërohet me çrregullime të shumta të lidhura me ankthin si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit dhe është një faktor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare.
Sekuenca e ARN-së së placentës zbuloi gjithashtu ulje të shprehjes së gjeneve të lidhura me funksionin e sistemit imunitar te nënat që përdorin kanabis.
Ndër gjenet e prekura ishin ato që ndihmojnë në mbrojtjen kundër patogjenëve duke rregulluar citokinat proinflamatore dhe shënuesit e tipit të qelizave imune. Shtypja e këtyre gjeneve lidhej drejtpërdrejt me nivelet e ankthit të treguara tek fëmijët, duke mbështetur vëzhgimet mbi ndikimin e kanabisit në tiparet neuro-sjellëse.



