Pentagoni ka njoftuar fillimin e një projekti kërkimor për të krijuar një bombë atomike njëzet e katër herë më të fuqishme se ajo e hedhur në Hiroshima të Japonisë, në Luftën e Dytë Botërore.
Një lajm i tillë raportohet nga mediat amerikane, sipas të cilave Pentagoni dëshiron të marrë miratimin dhe financimin e Kongresit për të krijuar një variant modern të bombës bërthamore.
Një fletë faktesh e Departamentit të Mbrojtjes thotë se arma e re, e quajtur B61-13, do të kishte një rendiment shpërthyes të ngjashëm me 360 kilotonët TNT në bombën B61-7.
B61 janë armë të ndërmjetme taktike dhe strategjike. Plani vjen gati një vit pas publikimit të Rishikimit të Qëndrimit Bërthamor të Pentagonit, i cili u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të modernizojnë rezervat e vjetra bërthamore, teksa Kina është të gatshme të zotërojë të paktën 1000 koka luftarake deri në vitin 2030.
“Në një kohë të rreziqeve bërthamore në rritje, një strategji ristrukturimi i pjesshëm nuk u shërben më interesave tona. Ne duhet të zhvillojmë dhe të nxjerrim stoqe të balancuara dhe fleksibël të afta për të mbajtur ritmin me kërcënimet”, thuhej në raport.
B61-13 do të bëhet nga koka luftarake të ripërdorura nga bomba të vjetra dhe të dizajnuara për të sulmuar “objektivat ushtarake më të vështira, me një zonë të madhe”.
Gjithashtu pritet të përfshijë veçoritë moderne të sigurisë dhe saktësisë të B61-12 të epokës Obama.
Sipas Aviation Report, B61-13 do të përdorej nga avionë luftarakë F-35 dhe bombardues B-21.
Në vitin 2020, F-15E u bë avioni i parë amerikan që u certifikua për të mbajtur B61-12 por disa analistë kanë theksuar se B61-7 nuk është projektuar për përdorim luftarak dhe dyshojnë se B61-13 do të kufizohet gjithashtu te bombarduesit: B-2 dhe ndoshta, B-21.
Bomba atomike B61-13 nuk do të shërbente për të forcuar arsenalin bërthamor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por do të zëvendësonte disa nga B61-7 të cilët ndodhen tashmë në magazinë.
Shtetet e Bashkuara, deklaroi Departamenti i Mbrojtjes, kanë përgjegjësinë të rriten, në mënyrë që t’i përgjigjen plotësisht sulmeve të mundshme strategjike, për veten dhe për aleatët.
“Nëse shikoni bombat e Hiroshimës dhe Nagasakit - komentoi Donald Bramer, ish-oficer i lartë i inteligjencës detare amerikane, njëra vrau 80 mijë njerëz, tjetra 40 mijë, duke menduar se bomba e re do të jetë njëzet e katër herë më e fuqishme jep një ide për dinamikën e kësaj arme dhe sa larg kemi arritur në ndjekjen e armëve bërthamore”
“Njoftimi pasqyron një mjedis sigurie në zhvillim dhe kërcënime në rritje nga kundërshtarët e mundshëm”, tha më pas Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Politikat Hapësinore, John Plumb.



