Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, thotë se Gjykata Kushtetutese duhet të bëhet funksionale para konferencës së parë ndërqeveritare.
“Kushti që ne kemi në përfundimet e KE, që hapin rrugën për negociatat, e bën të qartë që kemi nevojë për një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale për të nisur konferencën e parë ndërqeveritare. Shohim që ka angazhim nga presidenti dhe qeveria për të emëruar dy anëtarët që mungojnë. Kjo do të na çojë edhe më pranë një gjykate funksionale”, tha ai.
Varhelyi tha më tej se mesazhi për palët mbetet i njëjtë: dialog dhe çuarje përpara e reformave të domosdoshme.
“Shpresoj që konferenca ndërqeveritare të mblidhet gjatë presidencës gjermane. Tani që do të shkoj në Tiranë, dua t’u bëj thirrje të gjitha palëve politike, që të ecin përpara e të mos ndalen, por të realizojnë të gjitha kushtet. Ne kemi bërë maksimumin që të përmirësojmë cilësinë e raporteve”, tha ai.



