Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar 59 raketa drejt bazës ajrore siriane nga ku dyshohet se nisi sulmi kimik që u krye në Idlib. Bëhet fjalë për raketat 'Tomahaëk', të cilat janë lëshuar nga dy anije amerikane në Mesdhe. Ky është sulmi i parë amerikan nga SHBA-të mbi Sirinë që nga koha kur Donald Trump mori detyrën.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë më”, ka thënë Trump pas publikimit të pamjeve të sulmit me armë kimike në Idlib. “Bombardimi amerikan në Siri është në interesin vital të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara. Siria i ka injoruar paralajmërimet e Këshillit të Sigurisë në OKB”, ka thënë Trump, duke i kërkuar botës t’i bashkohet Amerikës në luftën kundër terrorizmit.
Ndërkohë, Rusia nga ana tjetër kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë në OKB. “Ky mund të konsiderohet një akt agresioni nga ana e SHBA-ve ndaj një vendi anëtar të OKB-së”, ka thënë për mediat kreu i Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Parlamentin rus, Viktor Ozerov.
Ai është shprehur se sulmi amerikan mbi Sirinë mund t’i keqësojë raportet mes Moskës dhe Uashingtonit si edhe të nxisë më tej konfliktin e armatosur në Lindjen e Mesme.



