Analisti Mentor Kikia komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV kundërshtimin e qytetarëve për Skavicën, ku një protestë është parashikuar të zhvillohet nesër kundër projektit.
Kikia tha se reagimi i qytetarëve është gjithmonë i duhur, por shtoi se për projektin duhet të publikohet një studim. Analisti u shpreh se nëse balanca anon te përfitimet ekonomike, atëherë duhet të pranohen me dhimbje dëmet që do ketë në mjedis.
Për çdo vepër bëhet studim mjedisor, për të matur ndikimin në natyrë, te kafshët, te shpendët. Skavica është projekti më i madh që pritet të zbatohet pas Hidrocentralit të Fierzës, që do shërbej si vepër hidroenergjitike, si një rregullator i gjithë kaskadës së Drinit dhe do jetë ujëmbledhësi më i madh. Shqipëria është një vend që vazhdon të ketë etje për energji, pasi ka konsumuar vetëm veprat e periudhës së komunizmit. U dhanë të pastudiuara qindra licenca për hidrocentrale lokalë, që devijuan rrjedhën e lumenjve, duke krijuar probleme. Reagimi i qytetarëve është gjithmonë i duhur, sepse është tregues i ndërgjegjësimit të njerëzve të atyre zonave. S’ka një studim që të tregojë impaktin në ekonomi dhe mjedis të një vepre. Shumë hidrocentrale të vegjël më shumë kanë bërë dëm. Për Skavicën duhet të ishte publikuar një studim që tregon përfitimin ekonomik. Nëse balanca anon te ana ekonomike, atëherë duhet të pranojmë me dhimbje dëmin. Oponenca që bëjnë qytetarët është e domosdoshme. Ajo që s’po bëhet siç duhet është orientimi i politikave të zhvillimit jo mbi shkencë. Shqipëria po përballet me mungesën e rezervave ujore. Studiuesit sugjerojnë që prodhimi i energjisë të orientohet drejt diellit dhe erës”.
Kikia u shpreh se problemi i shpronësimit do shkaktojë të tjera tallaze sociale, pasi shteti nuk kompenson me çmimet e tregut.



