
Ka përfunduar takimi i mbajtur në Antalia të Turqisë, mes ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba.
Situata në Mariupol është tragjike. Unë erdha këtu me qëllim humanitar, për të rregulluar një korridor humanitar për në Mariupol. Largohem duke mos u arritur asnjë marrëveshje. Por Ukraina nuk do të dorëzohet ndaj agresionit rus.
Kështu tha ministri ukrainas, Kuleba në përfundim të takimit. Ai i tha homologut rus, Sergei Lavrov se Ukraina nuk kishte probleme me sigurinë bërthamore përpara se Rusia të pushtonte.
Trupat ruse kanë marrë kontrollin e termocentralit bërthamor të Çernobilit, vendi i fatkeqësisë më të madhe bërthamore në botë dhe centralit bërthamor ende aktiv në Zaporizhzhia, më i madhi në Europë.
Kuleba u shpreh se të dy palët ranë dakord që të vazhdojnë përpjekjet për të kërkuar një zgjidhje për çështjet humanitare në terren në Ukrainë.
Po ashtu u shpreh i gatshëm të takohej sërish në këtë format nëse ka perspektiva për një diskutim thelbësor dhe për të kërkuar zgjidhje.
Nga ana e tij Lavrov deklaroi, se pala ruse është për zgjidhjen e problemeve por nuk ka alternativa nga pala tjetër.
Këto kontakte nuk mund të përdoren për të zëvendësuar ose zhvlerësuar negociatat e mëdha në territorin bjellorus. Operacioni special në Ukrainë po shkon sipas planit. Armët e furnizuara nga Perëndimi në Ukrainë mund të përhapen në të gjithë Europën dhe kjo përbën rrezik. Ne duam që Ukraina të jetë neutrale. Nuk dua të besoj se do të ketë një luftë nukleare. Presidenti Putin nuk i ka mohuar kurrë kontaktet, por qeveria ukrainase vazhdon ta zëvendësojë problemin e vërtetë me efekte speciale. Putin nuk refuzon një takim mes presidentëve por më parë duhet bërë gjithë puna përgatitore. Ukraina na tha se do të ketë përgjigje konkrete, ne po presim.
Ai përsëriti pretendimet ruse se civilët po përdoren si mburoja njerëzore, nga ata që i përshkroi si “të ashtuquajturat forca të mbrojtjes së territorit”.
Zyrtarë të Kievit dhe të Moskës, kanë mbajtur deri më tani tre raunde negociatash në Bjellorusi, ndërsa takimi i sotëm mes dy kyediplomatëve, u zhvillua në Antalia të Turqisë.
Kjo është hera e parë që Rusia, dërgon një ministër për të negociuar për krizën.
Takimi nisi rreth orës 09.00 me orën tonë për të përfunduar rreth orës 11.00, nën ndërmjetësimin e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.



