
Kreu i PD, Lulzim Basha ishte mëngjesin e sotëm për vizite në një familje në nevojë në Lundër. Ai shpjegoi familjes programin “Shqipëria fiton”.
Kryedemokrati tha mes të tjerash se familjes i duhet dhënë vëmendja që meriton dhe PD, sipas tij, i ka dhënë vëmendje të veçantë familjes në planin që ka bërë.
Ai shtoi se nga momenti që lind deri në 5 vjeç, çdo fëmije muaj për muaj do të marrë nga 30 mijë lekë të vjetra.
“Ne i kemi dhënë vëmendje të veçantë familjes në planin tonë që kemi shpalosur, në programin tonë qeverisës, duke e shoqëruar familjen nga momenti i parë i krijimit deri në momentin kur fëmijët dalin në punë. Ne e kemi vendosur në program që nga momenti që lind deri në 5 vjeç, çdo fëmije muaj për muaj nga 30 mijë lekë të vjetra. Nga momenti që lind fëmija derisa të bëhet 5 vjeç, muaj për muaj nga 30 mijë lekë të vjetra. Futet në shkollë do fillojmë një program, do ta fillojmë me zonat rurale, pastaj do ta shtrijmë në qytet”, tha Basha.
Basha theksoi se në zonat rurale është krijuar një prapambetje në arsim në raport me qytetet.
Lideri i opozitës premtoi se deri në klasë të 9-të tekstet do të jenë falas ndersa për studentët nga familjet që kanë të ardhura më pak se 640 mijë lek të vjetra në muaj, do financohet 100% tarifa e studimeve.
“Me 25 Prill nuk bëhet fjalë për fitoren e një njeriu apo të një partie apo të një koalicioni, bëhet fjalë për fitoren e çdo shqiptari. Për 5000 çifte të reja në vit qeveria që do t’ju paguajë 100% interesat e kredisë. Parimi themelor është që qeveria do të mendojë për njerëzit. Më 25 prill do të fitojë SHqipëria”, tha Basha.



