Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri e sheh me një sy mjaft kritik nismën e qeverisë shqiptare për Amnistinë Fiskale.
Miratimi i kësaj pakete ligjore u shty për muajin shtator, pasi Ministria e Financave argumentoi se duhet t’i jepet më shumë kohë konsultimeve me grupet e interesit për ta miratuar projektligjin.
Mirëpo, i ftuar përmes një lidhje me Skype në studion e lajmeve të televizionit TVT, Tomorri theksoi se projektligji në fjalë është i shkruar keq dhe në disa nene të tij ka përplasje.
“Mjafton të ilustrohet me një rast që është shumë konkret, pasi sot ka dy ligje: Një ligj është për parandalimin e pastrimit të parëve dhe është drafti i amnistisë që po bëhet”, tha ai.
Tomorri pyet se çfarë mund të ndodhë me një person që shkon dhe deklaron në bankë parat e fshehura që mund t’i ketë siguruar për shkak të evazionit fiskal apo edhe nga burime të tjera?
Sipas tij, pyetja është se çfarë duhet të bëjë banka në këtë rast, duke shtuar më tej se vetë ligji për parandalimin dhe pastrimin e parave i detyron bankat se në raste të tilla të sinjalizojnë menjëherë Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
“Kjo është një nga vërejtjet, pasi ligji në vetvete ka përplasje. Ndërkohë, ka edhe paqartësi të tjera, si psh; kur individi ka të drejtë të përdorë llogari bankare pas deklarimit edhe ky detaj nuk është i qartë në ligj”, u shpreh gazetari.
Për Tomorrin të gjitha këto vërejtje janë konstatuar dhe bërë nga bankat, pasi ato nuk janë reflektuar në draftin e Amnistisë Fiskale.
“Unë besoj se përtej këtyre përplasjeve dhe paqartësive të ligjit, arsyeja se pse Qeveria u tërhoq nga drafti i Aministisë Fiskale nuk ka lidhje me vërejtjet apo kundërshtitë që mund të kishte nga faktorë të brendshëm, pasi mendoj se arsyeja kryesore pse Qeveria e tërhoqi draftin për t’i dhënë më shumë kohë, deri në shtator, janë kundërshtimet që vijnë nga jashtë. FMN dhe veçanërisht KE-ja dhe organizmat e tjerë të BE-së. Pra, ky draft është parë me shqetësim nga BE-ja me arsyen se mund ta shndërrojë Shqipërinë në një vend ku mund të pastrohen masivisht para që vijnë nga aktivitete të paligjshme. Kundërshtia ka qenë aq e fortë, sa flitet edhe për një raport sekret të Këshillit të Europës, i cili është me tone shumë të forta ndaj qeverisë dhe e cilëson draftin si një masë të pastër që godet në themel shtetin ligjor dhe e shndërron Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave”, tha Tomorri.
Gazetari theksoi se pavarësisht këtyre vërejtjeve, Qeveria ka qenë e vetëdijshme, se do të haste në kundërshti të tilla nga faktori ndërkombëtar.



