Dy shqiptarë u arrestuan në Salerno gjatë një operacioni që kishte në shënjestër shfrytëzimin për qëllime prostitucioni. Hetimi i policisë e ka origjinën në gjetjen e kufomës së një prostitute rumune me emrin Alina Roxana Ripa, më 31 dhjetor 2015.
Hetimet kanë nxjerrë se vajza ishte shfrytëzuar për prostitucion nga Ilir Kadiu, i njohur me nofkën “Elio”, 36 vjeç dhe Kristian Marku, 24 vjeç, banues në Salerno prej disa vitesh.
Sipas hetimeve, të dy shqiptarët kishin shfrytëzuar disa vajza, duke krijuar edhe zonat e veta, ku prostitutat e tjera duhet të paguanin “qera” për të zhvilluar aktivitetin e paligjshëm.
Përgjimet telefonike kanë zbuluar se takimi i prostitutave me klientët bëhej në një hotel, për të cilin është lëshuar urdhër sekuestro.



