
Sulmet ajrore në enklavën e fundit të madhe rebele pranë Damaskut kanë lënë të paktën 17 civilë të vdekur, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë pasojat e goditjeve ajrore të shtunën, në rajonin e rrethuar të Ghouta-s, në të cilin vëzhguesit nga Mbretëria e Bashkuar raportojnë se ndër të vrarët kishte edhe fëmijë.
Mbështetur nga sulmet ajrore ruse, forcat qeveritare kanë intensifikuar operacionet ushtarake atje, duke shtrënguar një rrethim që banorët dhe punonjësit e ndihmës thonë se po përdor urinë si një armë lufte, diçka që regjimi e mohon.
Rusia kundërshton pretendimet se avionët e saj kanë vrarë mijëra civilë që nga ndërhyrja e saj e madhe dy vjet më parë, kur rrjedha e luftës civile të Sirisë u kthye në favor të Presidentit Assad.
Moska thotë se sulmon vetëm ekstremistët islamikë .
Shërbimi civil i shpëtimit i njohur si “Helmeta e Bardhë”, që operon në territorin e rebelëve, ka postuar imazhe në Twitter që tregojnë evakuimin e civilëve pas sulmeve ajrore në qytetin Misraba në Ghouta-n Lindore.
Kombet e Bashkuara thonë se rreth 400,000 civilë të rrethuar në këtë zonë përballen me një "katastrofë të plotë humanitare", sepse furnizimet e ndihmës janë të bllokuara nga qeveria dhe qindra njerëz që kanë nevojë për evakuim urgjent mjekësor nuk janë lejuar të dalin jashtë zonës.



