
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku lajmëron se nga sot në orën 09:00 fillojë operimet në aeroportin e Rinasit.
Balluku thotë se pas grevës së Albcontrol dhe bllokimit të fluturimeve dhe gjithë hapësirës ajrore shqiptare, tashmë do të ketë një kthim në normalitet.
Fluturimet nga kjo orë do të jenë të hapura për gjithë shërbimet, ndërkohë që Rinasi tashmë po punon me kontrollorë turq.
"Duke filluar nga ora 09:00 e ditës së sotme, operimet në aeroportin e Rinasit dhe në hapësirën ajrore shqiptare kthehen në normalitet", shkruan Balluku.
Kriza në aeroportin e Rinasit u zgjidh duke sjelle disa kontrollorë turq të trafikut ajror, të cilët do të zëvendësojnë kontrollorët shqiptarë që pezulluan punën. Kjo bëri që në Rinas të ulej avioni i parë i “Air Albania”, i cili transportoi një sasi vaksinash.
Mësohet se kontrollorët turq kanë mbërritur mbrëmjen e së mërkurës në Rinas, duke ardhur nga Podgorica. Ishte Komiteti i Emergjencave Civile që i hapi dritën e gjelbër zëvendësimit të kontrollorëve.
Zëvendësimi i kontrollorëve pritet të zgjasë derisa të ketë një zgjidhje përfundimtare të situatës së krijuar.




