Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të japë sot vendimin nëse dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë do të kalojë apo jo për gjykim.
Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në lidhje me këtë zhvillim, gazetari Arsen Rusta në një lidhje me MCN Live deklaroi:
Vijon beteja ligjore e Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe të pandehurve të tjerë, për të cilët SPAK kërkon përgjegjësi për korrupsion pasiv dhe pastrim parash dhe fshehje pasurish.
Meta kërkon ndryshimin e masës së sigurisë dhe veçimin e procedimit të tij, duke argumentuar se nuk ka shkelur ligjin dhe pasuritë e tij janë të justifikuara ligjërisht për shkak të posteve të larta që ka mbajtur.
10 kërkesat e tij në të gjitha hallkat gjyqësore janë refuzuar, ndërsa ai mbetet në qeli, ndërsa të tjerët janë gjykuar në gjendje të lirë.”
Në këtë proces janë të pandehur edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish-kryetares së LSI. Xhixho akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.



