Sot shënohen 33 vite nga ngjarja e 20 shkurtit 1991, ku në qendër të Tiranës u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha.
Fatmir Çepani, operator i RTSH në atë kohë, njihet si operatori i vetëm që ka regjistruar një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar në 100 vitet e fundit, rrëzimin e bustit.
Në një intervistë për “MCN live” ai risolli në kujtesë fragmente nga kjo ngjarje, që nga momenti që u pozicionua te sheshi, e deri te presionet për filmimin.
Ajo ditë mbetet e veçantë për shumë arsye. Së pari se situata ishte tejet e vështirë në gjithë Shqipërinë sepse flitej për rrëzimin e statujës së Enverit dhe më kryesorja tensionet politike pas formimit të PD kishin arritur acarime të mëdha me PPSH dhe grupet vullnetare të mbrojtjes së figurës së Enver Hoxhës. E mbaj mend si sot, pasi ishte ditë e veçantë dhe unë kam qenë me gazetaren Amalia Dhamo ku drejtoria e TVSH na kishte caktuar të shkonim te takimi i Komunitetit Mysliman pasi për herë të parë pas rënies së diktaturës po krijohej Komuniteti Mysliman. Pikërisht atë ditë Amalia dhe unë ishim caktuar për të filmuar dhe shoqëruar kryetarin e opozitës, Sali Berishën.
Në Pallatin e Kulturës ku do zhvillohej takimi shkuam rreth orës 9 -30 në mëngjes dhe bëmë kronikën e zakonshme. Kur mbaruam me Amalinë ishte ora 10:00 dhe unë rrija tek kafeneja e Pallatit të Kulturës deri në orë14:00: kur filloi të zhvillohej ngjarja. Ishte situatë e vështirë sidomos për ne që ishim të vetmit operatorë pasi ishim i vetmi televizion në Shqipëri. Pra ngjarjet regjistroheshin vetëm nga ne.
Deri në orën 13:30 vende-vende kishte grupime njerëzish, që rrinin rreth përmendores, ndërsa fluksi i madh i njerëzve mbërriti në orën dy. Shikoja se si vinin dhe habitesha për organizimin pasi dukej se vinin si me komandë. Pra një demonstratë e mirëorganizuar. Me thënë të drejtën pozicionimi im te Pallati i Kulturës, më jepte shansin që unë të kontrolloja të gjitha kryqëzimet e Tiranës, që mblidhen te qendra ndaj dhe habitesha.
Në ora 14: 00 në shesh mund të ishin 100 mijë veta. Fillova xhirimin. Moment shumë i vështira. Përmendorja mbrohej. Por nga ora 14-40 turma u nis drejt Enverit. Një turmë e papërmbajtshme. Dhe them se i kishte ardhur fundi asaj historie, asaj kohe.
Kam qenë në një pozicion shumë të vështirë për 4 orë e 5 minura, nga ku kam realizuar 7 minuta material që i kanë ndryshuar rrjedhën historisë.
Operatori Çepani, rikujton edhe momentin kur materialin pasi ka shkuar në TVSH, e kanë nxjerrë në transmetim përtej presionit politik të kohës.
Kjo ishte një pjesë e errët. Pas asaj ngjarje që ndodhi, shteti komunist vazhdoi dhe për një periudhë të caktuar. Së bashku dhe me disa kolegë të mi, kemi qenë te zyra e drejtorit të televizionit të asaj kohe, Virgjil Kule dhe është bërë presion nga kreu i qeverisë së asaj kohe që ne mos ta transmetonim kronikën. Politika na bëri presion që të mos e transmetonim kronikën, duke na etiketuar tradhtarë, që do të thotë o me këmbë kokëposhtë, ose në gropë. Madje kryeministri i asaj kohe Adil Çarçani, na tha: Ju jeni tradhtarë po e transmetuat.
Çepani thotë se më tej materialin bruto është detyruar ta largojë jashtë vendit, sepse sistemi komunist i kohës e kërkonte për të identifikuar pjesëmarrësit që rrëzuan bustin e Enver Hoxhës.
Pas shumë peripecive, ja detyruar që materialin bruto ta fshihja. Kam pasur presion.
E kërkonin materialin bruto për të identifikuar personat që ishin pjesëmarrës në aktin e rrëzimit.
E kam fshehur, e kam nxjerrë jashtë vendit, përmes disa kolegëve sepse kishte lëvizshmëri me jashtë.



